E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Haxhiu takon drejtorin e IKKL-së: Për herë të parë institucionet e Kosovës i kanë regjistruar viktimat e luftës një nga një

Haxhiu takon drejtorin e IKKL-së: Për herë të parë institucionet e Kosovës i kanë regjistruar viktimat e luftës një nga një

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka takuar drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.

Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se për herë të parë institucionet e Kosovës i kanë regjistruar viktimat e luftës një nga një

“Sot mirëprita në takim drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemin, i cili më dorëzoi raportin vjetor të punës së Institutit. Gjatë takimit u njoftova për punën e Institutit këtë vit, me theks të veçantë në procesin e verifikimit të të dhënave për secilën viktimë, në bazë të të cilave u hartua lista preliminare e viktimave të luftës, e publikuar në korrik.

Për herë të parë, institucionet e Republikës së Kosovës i kanë regjistruar viktimat e luftës një nga një, duke u mbështetur në dokumente dhe dëshmi të verifikuara. Përballë mohimit të krimeve nga Serbia, ky dokumentim i saktë është përgjigjja jonë më e fuqishme”, shkruan ajo.

Haxhiu tutje thekson se Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili miratoi ligjin për themelimin e Institutit, do të vazhdojë ta mbështesë punën e tij.

“Drejtorit Hetemi dhe gjithë stafit të Institutit u shpreh mirënjohje për profesionalizmin dhe për kujdesin me të cilin e trajtojnë çdo emër dhe çdo dëshmi”, shkruan Haxhiu. /Telegrafi/

Lini një koment