Monday, 28 September 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Haxhiu: Vlerësova se duhej të uleshin gjakrat para se të thirrej seanca

Haxhiu: Vlerësova se duhej të uleshin gjakrat para se të thirrej seanca

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka pasur kritika ndaj saj për vonesën në thirrjen e seancës plenare lidhur me deklaratën për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin, Haxhiu tha se Kuvendi dhe Qeveria kishin qenë të kontestuara në Gjykatën Kushtetuese dhe se, për këtë arsye, ajo kishte vlerësuar se ishte e nevojshme të pritej dhe të qetësohej situata.

“Ka pasur kritika në drejtim timin pse nuk po thërras seancë plenare, por Kuvendi ka qenë i kontestuar. Kanë qenë tri-katër ditë diskutime ndërmjet përfaqësuesve të grupeve parlamentare. Sot kemi pasur seancën dhe jemi vonuar pak më shumë se një orë, deri sa kemi arritur tek një draft unifikues, përbashkues. Për këtë nuk ka pasur vota kundër në Kuvendin e Kosovës”, tha Haxhiu.

Ajo e konsideroi të rëndësishme miratimin e deklaratës, duke thënë se përmes saj Kuvendi shprehu vullnetin e tij dhe adresoi disa kërkesa ndaj institucioneve të Kosovës.

“Është një moment i mirë për të shprehur vullnetin e Kuvendit të Kosovës. Janë disa kërkesa aty që u drejtohen institucioneve të Kosovës, institucionet janë duke punuar tash e disa vite. Besoj që ka qenë e rëndësishme që Kuvendi ta ketë një zë në këtë drejtim”, deklaroi ajo.

Haxhiu tha se Kuvendi i Kosovës në të kaluarën nuk ka miratuar rezoluta apo deklarata të kësaj natyre që lidhen me luftën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur miratim të rezolutave apo deklaratave që ndërlidhen me mbrojtjen e luftës, popullit përmes Ushtrisë Çlirimtare. Janë disa rezoluta, deklarata të miratuara”, tha ajo.

Haxhiu foli edhe për mbështetjen e Shqipërisë pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke bërë të ditur se kishte komunikuar me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi.

“Me vjen mirë që Shqipëria ka qenë e gatshme që një ditë pas ka miratuar. Kam qenë në komunikim me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Kam falënderuar personalisht për solidaritetin dhe mbështetjen në këto ditë të rënda për Kosovën dhe familjarët e personave që po mbahen në Hagë, e që janë dënuar padrejtësisht”, u shpreh Haxhiu.

Ajo sqaroi edhe arsyet pse nuk e kishte thirrur më herët seancën plenare.

“Ka pasur vazhdimisht kritika në drejtim timin se pse s’po e thërras seancën plenare. Seanca plenare thirret nga 40 deputetë përmes një seance të jashtëzakonshme. Dy ditë pas vendimit, Kuvendi dhe Qeveria janë kontestuar”, tha Haxhiu.

Sipas saj, në atë periudhë kishte pasur edhe një klimë të tensionuar politike, përfshirë gjuhë kërcënuese ndaj deputetëve dhe ministrave.

“Kuvendi ka qenë i kontestuar, edhe Qeveria e kontestuar. Nuk ka pasur kërkesa. Kuvendi dhe Qeveria kanë qenë në Gjykatë Kushtetuese dhe, në anën tjetër, për shkak të një klime, gjuhe të përdorur në drejtim të deputetëve, ministrave, prandaj kam vlerësuar që situata më e mirë është të ulen gjakrat. Nuk na nevojiten kërcënimet, gjuha e urrejtjes, dhuna”, deklaroi Haxhiu.

Lini një koment