E premte, 15 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKronikaHedhje gurësh nga mbikalimi në I-94 në St. Clair Shores, policia nis hetimet pas disa incidenteve të rrezikshme

Hedhje gurësh nga mbikalimi në I-94 në St. Clair Shores, policia nis hetimet pas disa incidenteve të rrezikshme

Një seri incidentesh të rrezikshme janë raportuar ditët e fundit në autostradën I-94 në zonën e St. Clair Shores, ku drejtues automjetesh pretendojnë se gurë apo objekte të forta po hidhen qëllimisht nga një mbikalim.

Sipas dëshmive të qytetarëve për mediat lokale, ngjarjet kanë ndodhur në segmentin perëndimor të I-94, pranë mbikalimit të Frazho Road, gjatë fundjavës së kaluar.

Rasti më i fundit është regjistruar në orët e para të së dielës, më 5 prill. Gina Skowronski tha se po kthehej në shtëpi rreth orës 3 të mëngjesit kur dëgjoi një goditje të fortë në makinën e saj.

“Dëmi ishte i vogël, një gropë e vogël dhe një pjesë plastike e thyer,” u shpreh ajo, duke shtuar se menjëherë pas goditjes kishte parë një grup adoleshentësh që po vraponin pranë mbikalimit.

E tronditur nga ngjarja, ajo tha se përjetoi një moment paniku: “Nuk e kuptoja çfarë më goditi. Ishte shumë e frikshme, sidomos sepse ata ishin të veshur me të zeza dhe me kapuçë.”

Pamje nga një kamerë automjeti (dashcam), të siguruara nga një tjetër drejtues, duket se konfirmojnë momentin e goditjes, si dhe praninë e një personi pranë mbikalimit në anën e djathtë të autostradës.

Ky nuk është një rast i izoluar. Vetëm një javë më parë, një tjetër drejtues, Sean Kokonos, raportoi se një copë betoni kishte mbetur e bllokuar në parakolpin e makinës së tij, ndërsa një tjetër fragment i kishte dëmtuar xhamin e përparmë.

“Ishte një gur sa madhësia e dorës,” tha ai, duke theksuar rrezikun serioz që paraqesin këto akte për sigurinë rrugore.

Policia e St. Clair Shores ka njoftuar se ka rihapur hetimet për këtë çështje dhe është duke e trajtuar me prioritet. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë video apo fotografi nga zona në momentin e incidenteve të kontaktojnë policinë, në mënyrë që të ndihmojnë në identifikimin e përgjegjësve.

Ngjarje të tilla konsiderohen jashtëzakonisht të rrezikshme dhe mund të kenë pasoja fatale për drejtuesit e automjeteve që lëvizin me shpejtësi në autostrada.

Lini një koment