Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, policia merr në pyetje administratore e Sori-Al
Komisariati nr. 1 në Tiranë ka marrë në pyetje administratoren e kompanisë “Sori-Al”, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen pas dyshimeve për helmimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Sipas deklarimeve të saj, kompania ka kryer furnizimin e përditshëm me ushqim për studentët, në përputhje me kontratën e lidhur, duke theksuar se çdo vakt është përgatitur dhe shpërndarë sipas procedurave standarde dhe në respektim të kushteve të higjienës.
Në lidhje me ngjarjen, janë marrë në pyetje edhe kuzhinieri, stafi përgjegjës për ndarjen e ushqimit në porcione, si dhe personeli i shpërndarjes. Po ashtu, janë pyetur edhe studentët që kanë shfaqur simptoma helmimi.
Deri në këtë fazë të hetimit, asnjë person nuk është vënë zyrtarisht nën hetim për skandalin e dytë. Hetuesit po vijojnë mbledhjen e provave, ndërsa pritet që Prokuroria të vendosë më tej mbi personat që mund të procedohen penalisht në lidhje me rastin.
Ndërkohë, administratorja e kompanisë po hetohet në gjendje të lirë edhe për një rast të mëparshëm të lidhur me aktivitetin e saj.