Hita porosit 389 efektivët e rinj: Mos u tundoni nga krimi, ruani dinjitetin e uniformës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, iu drejtua sot 389 kursantëve që përfunduan me sukses Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë, duke u kërkuar që në detyrën e tyre të re të udhëhiqen gjithmonë nga ligji, shërbimi ndaj qytetarëve dhe amaneti i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
Gjatë ceremonisë së certifikimit, Hita u kërkoi efektivëve të rinj të mos bien pre e arrogancës, korrupsionit apo tundimit për të bashkëpunuar me grupet kriminale.
“Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëherazi Dëshmorë të Atdheut. Këto tri drejtime mos i ndryshoni kurrë përballë çdo sfide e tundimi, sepse po humbët busullën, humbët qytetarin, humbët dinjitetin dhe rruga më pas është plot dritëhije, ndoshta dhe në errësirë”, iu drejtua Hita efektivëve të rinj.
Ai theksoi se Policia e Shtetit dhe qytetarët kanë nevojë për energjinë dhe mentalitetin e ri të brezit të ri të efektivëve, ndërsa nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së besimit të qytetarëve.
“Shërbejuni qytetarëve me përulësi, ndërsa atyre që shkelin ligjin, me forcën e ligjit. Reagoni me guxim, korrektësi e paanshmëri dhe brenda kornizës ligjore përballë çdo padrejtësie e paligjshmërie”, tha Hita.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit paralajmëroi gjithashtu efektivët e rinj që të mos tundohen nga ofertat për bashkëpunim me krimin.
“Mos u tundoni nga ofertat e propozimet për të bashkëpunuar me krimin, sepse kjo rrugë mund t’ju duket e shkurtër, por pasojat e saj janë të rënda dhe pa kthim. Mos shkëmbeni kurrë uniformën, imazhin e Policisë, dinjitetin dhe të ardhmen tuaj me një përfitim të momentit. Asnjë përfitim nuk vlen më shumë se uniforma që mbani veshur dhe besimi që qytetarët kanë te ju”, deklaroi ai.
Hita u kërkoi efektivëve të rinj të shmangin edhe arrogancën në komunikimin me qytetarët, duke theksuar se besimi i tyre është pasuria më e madhe e Policisë së Shtetit.
“Mos harroni se arroganca është fundi i rrugëtimit tuaj. Përballë çdo situate qofshi, kurrë mos u tregoni arrogantë me qytetarët që duan dhe zbatojnë ligjin”, tha Hita.
Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, u shpreh se të rinjtë tashmë kanë jo vetëm formimin profesional, por edhe përgatitjen për një prej profesioneve më të vështira dhe më fisnike.
Lamallari theksoi se përfundimi i kursit nuk është thjesht një ceremoni formale, por fillimi i një misioni të ri, që lidhet me mbrojtjen e jetës, pronës dhe garantimin e zbatimit të ligjit.
Ministri u kërkoi punonjësve të rinj të ndërtojnë besimin e qytetarëve përmes profesionalizmit, sjelljes dhe komunikimit njerëzor. Sipas tij, policia e gjeneratës së re duhet të jetë moderne, profesionale dhe e aftë jo vetëm të reagojë ndaj krimit, por edhe ta parandalojë atë.
Ai vuri theksin te modernizimi i Policisë së Shtetit, duke e cilësuar Akademinë e Sigurisë si pikën e parë të këtij procesi.
“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk ju jep privilegje, por vetëm përgjegjësi”, deklaroi Lamallari, duke i paralajmëruar punonjësit e rinj të mos lejojnë që të ndikohen apo korruptohen gjatë karrierës së tyre.