Hoxha takon kreun e Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestag: Gjermania mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti mëngjesin e sotëm në Tiranë kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se takimi u fokusua te progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe te agjenda e reformave që vendi po zbaton në kuadër të rrugëtimit drejt anëtarësimit në BE.
“Gjermania ka qenë një nga mbështetëset më të forta dhe më të qëndrueshme të Shqipërisë gjatë gjithë këtij udhëtimi. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Gjermanisë për një proces zgjerimi të bazuar në meritë dhe udhëheqjen e saj në promovimin e një perspektive të besueshme evropiane për Ballkanin Perëndimor”, shkroi ministri Hoxha.
Sipas tij, diskutimi shërbeu gjithashtu si një mundësi për të vlerësuar arritjet e Shqipërisë përmes zbatimit të një agjende ambicioze reformash, në funksion të avancimit të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit u riafirmuan edhe marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ndërsa u nënvizua rëndësia e vijimit të bashkëpunimit dypalësh, përfshirë edhe shkëmbimet parlamentare.
Objektivi i përbashkët i bashkëpunimit, sipas ministrit Hoxha, mbetet ndërtimi i një Evrope më të fortë dhe më të bashkuar.