E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›I arrestuar dy ditë më parë për vjedhje, ndërron jetë 32-vjeçari në Komisariatin e Vlorës (EMRI)

I arrestuar dy ditë më parë për vjedhje, ndërron jetë 32-vjeçari në Komisariatin e Vlorës (EMRI)

Një 32-vjeçar që ndodhej i arrestuar në Komisariatin e Policisë Vlorë ka humbur jetën mëngjesin e sotëm, pasi është konstatuar në gjendje të rënduar shëndetësore në dhomat e shoqërimit.

Përmes një njoftimi për mediat policia bëri me dije se ngjarja është regjistruar rreth orës 09:50, kur shtetasi Enea Shparthi, banues në Vlorë, është konstatuar me probleme të rënda shëndetësore.

32-vjeçari është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe në orën 10:05, mjekët kanë konfirmuar se ai kishte humbur jetën.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë arresti kardiak.

32-vjeçari ishte arrestuar në flagrancë më 29 gusht, rreth orës 23:00, për veprën penale “Vjedhja”.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Lini një koment