I riu nga protesta ironizon kërcënimet e Ramës me gjoba: Po presim trenin për Durrës, duam dy bileta
Një i ri, pjesëmarrës në protestën e sotme, ka ironizuar paralajmërimet e kryeministrit Edi Rama për gjobitjen e protestuesve dhe masat ndaj udhëtimeve, siç njofton BalkanWeb. Në një prononcim për News24, për gazetarin Osman Stafa, ai e nisi me një batutë për trenin drejt Durrësit.
“Kam një pyetje: në çfarë ore kalon treni për në Durrës? Duam dy bileta. Po presim trenin për Durrës dhe nuk po vjen!”, u shpreh i riu, siç njofton BalkanWeb.
Më pas, ai rrëfeu, sipas tij, për dhunën ndaj protestuesve. “Na kanë sakatuar. Kanë thyer këmbë, nuk e dinë ku janë. U kanë thyer brinjët. Vajzat i kanë prekur, i kanë puthur nëpër furgona”, tha i riu.
“Kemi dalë për Shqipërinë. Një student që lufton, lufton për shkollën, për të ardhmen. Deri në këtë moshë që jam, nuk kam jetuar asnjëherë, vetëm kam mbijetuar. Prindërit pa punë, nuk jemi servila”, u shpreh ai.
Ai bëri thirrje që të dalin për ata njerëz që, sipas tij, janë vrarë dhe dhunuar, si edhe për njerëzit që janë në burg për ta. “Të dalim një herë për Shqipërinë, si të parët tanë. Mos të na lënë mënjanë, të dalim kundër atij që nuk është shqiptar, se po na shet. Për 50 mijë lekë?! Nxirri pak lekët!”, tha i riu.
“Synimin e kam që, nëse nuk bëhet gjë, do ta lë shkollën dhe do të iki. Shumicën e familjarëve i kam jashtë, nuk kam mbështetje këtu”, përfundoi ai.