INDONEZI – Të paktën 32 të zhdukur pas zjarrit në fabrikën e ëmbëlsirave
XHAKARTA, 23 nëntor /ATSH-DPA/ – Ekipet e shpëtimit në Indonezi kanë vijuar sot kërkimet për gjetjen e 32 punonjësve të zhdukur, pas zjarrit që përfshiu një fabrikë ëmbëlsirash pranë kryeqytetit, Xhakarta.
Autoritetet kanë nxjerrë 24 trupa nga rrënojat e fabrikës, ndërsa numri përfundimtar i viktimave ende nuk është përcaktuar.
Rreth 600 punonjës të shërbimeve të emergjencës dhe agjencive qeveritare, janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit në fabrikën “PT Fonusa Agung Mulia”, në qarkun Serang, në perëndim të Xhakartës.
Zjarri shpërtheu dje dhe u deshën disa orë që zjarrfikësit të vinin nën kontroll flakët, të cilat u shuan plotësisht sot në mëngjes.
Sipas drejtuesit të Agjencisë së Kërkim-Shpëtimit në Banten, Al Amrad, deri dje në mbrëmje ishin identifikuar 63 persona të prekur nga ngjarja.
Prej tyre, 29 kishin mbijetuar, 32 rezultonin të zhdukur, ndërsa dy persona të tjerë ende nuk ishin llogaritur.
Pesë nga të mbijetuarit kishin pësuar plagë dhe kishin marrë trajtim mjekësor.
Për shkak të gjendjes së rënduar të trupave të gjetur, identifikimi vizual nuk është i mundur.
Autoritetet do të përdorin analizat e ADN-së, krahasimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe metoda të tjera mjeko-ligjore për identifikimin e viktimave.
Operacioni është vështirësuar nga rreziku i vatrave të mbetura të zjarrit dhe mundësia e shembjes së pjesëve të ndërtesës së dëmtuar.
Fabrika prodhon ëmbëlsirat e markës “Milkita” për tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. /