Inkster tronditet nga të shtënat : humbin jetën dy adoleshentë
Një lagje në Inkster është tronditur pas një incidenti me armë zjarri gjatë fundjavës, ku humbën jetën dy djem të mitur, 17 dhe 15 vjeç.
Policia e Inksterit reagoi rreth orës 4:50 të mëngjesit më 12 prill, pas një raportimi për një të ri të plagosur me armë zjarri në një banesë në bllokun 26000 të rrugës Penn. Sipas një njoftimi zyrtar, 17-vjeçari u transportua në një spital aty pranë, por nuk arriti të mbijetojë.
Banorët e zonës, Lottie Landrum dhe Grady Carr, treguan se u zgjuan nga një trokitje e fortë në derën e shtëpisë së tyre pak para orës 5 të mëngjesit.
“Grady tha se dikush po përpiqej të hynte në shtëpi. Kur dola në dhomën e ndenjjes, djali po godiste derën dhe lutej që ta hapnim,” tha Landrum.
Çifti telefonoi menjëherë shërbimet e emergjencës dhe u udhëzua të mos dilte jashtë, për shkak të mundësisë së pranisë së një personi të armatosur. Ata thanë se panë nga afër përpjekjet e ekipeve të emergjencës për t’i shpëtuar jetën 17-vjeçarit në verandën e tyre.
“Ai ishte shtrirë në tokë… pashë sytë e tij dhe më kujtuan sytë e djalit tim. Pashë djalin tim duke vdekur. Asnjë nënë nuk duhet ta përjetojë këtë,” u shpreh Landrum.
Gjatë kontrollit të zonës, me ndihmën e Policisë së Shtetit të Michiganit, oficerët ndoqën një gjurmë gjaku që çoi në oborrin e pasëm të së njëjtës rrugë, ku u gjet edhe një armë zjarri.
Një viktimë e dytë, një djalë 15-vjeçar, u gjet në oborrin e shtëpisë së Landrum dhe Carr dhe u shpall i vdekur në vendngjarje.
Policia bëri të ditur se rrethanat e ngjarjes janë ende nën hetim. Hetuesit po mbledhin prova, po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe po intervistojnë dëshmitarë. Autoritetet theksojnë se nuk ka një kërcënim të menjëhershëm për publikun.
Kryetari i bashkisë së Inksterit, Byron Nolen, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi për komunitetin dhe tha se qyteti po përpiqet të zgjerojë programet për të rinjtë.
“Është një humbje e rëndë për komunitetin tonë që dy adoleshentë të humbin jetën nga armët e zjarrit. Ende nuk kemi shumë përgjigje, por po përpiqemi të kuptojmë çfarë ka ndodhur dhe të japim sadopak qartësi për familjet,” tha ai.
Nolen theksoi rëndësinë e programeve pas shkollës dhe aktiviteteve verore për të rinjtë, si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar dhunën me armë.
“Duhet t’i përfshijmë fëmijët më herët në aktivitete pozitive, t’i mbajmë të angazhuar dhe t’i udhëzojmë që të mos përfshihen në situata të rrezikshme. Edhe prindërit duhet të bëjnë pjesën e tyre,” shtoi ai.
Ndërkohë, banorja Landrum bëri thirrje për më shumë angazhim nga komuniteti.
“Kemi nevojë për mentorë për fëmijët tanë, sidomos për djemtë. Duhet të dalim dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kjo nuk duhet të ndodhë më,” tha ajo.
Policia u bën thirrje kujtdo që ka informacion mbi ngjarjen të kontaktojë detektivin T. Parker në numrin 313-563-9869 ose detektivin e Policisë së Shtetit të Michiganit, Sgt. Cobb, në 313-236-7903.