Integrimi në BE dhe reformat, delegacioni parlamentar shqiptar zhvillon vizitë zyrtare në Madrid
Një delegacion i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë (KEPJ), i kryesuar nga Igli Hasani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Madrid, me ftesë të kryetares së Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit spanjoll, Pilar Rojo Niguera. Agjenda përfshiu takime të nivelit të lartë me Komisionin e Përbashkët për BE-në në Kongres, si dhe me komisionet respektive të politikës së jashtme në Senat e Kongres.
Pjesë e delegacionit shqiptar, i cili u shoqërua nga ambasadorja Entela Gjika, ishin zëvendëskryetarja e KEPJ-së, Albana Vokshi, si dhe deputetët Skënder Pashaj dhe Vangjel Dule. Gjatë kësaj vizite, parlamentarët shqiptarë ndoqën nga afër edhe seancën plenare të Senatit spanjoll, ku u përshëndetën zyrtarisht nga drejtuesit e seancës.
Kryefjala e diskutimeve dypalëshe ishte rruga e integrimit europian të Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian, proces për të cilin zyrtarët spanjollë konfirmuan mbështetjen e tyre.
“Anëtarësimi në BE është interes kombëtar dhe tregues i orientimit tonë të palëkundur euroatlantik,” nënvizoi kryetari i komisionit, Igli Hasani, duke vlerësuar qëndrimin e vazhdueshëm e pozitiv të Madridit zyrtar ndaj perspektivës europiane të Tiranës.
Përtej agjendës së integrimit, bisedimet u shtrinë edhe mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë në kontinentin evropian, zhvillimet e fundit gjeopolitike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe mbi nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin ushtarak, arsimor dhe atë në fushën e turizmit.
Edhe pse takimi kishte frymë të lartë bashkëpunimi, dinamika e politikës së brendshme shqiptare u reflektua edhe gjatë diskutimeve me parlamentarët spanjollë. Përfaqësuesit e opozitës dhe ata të shumicës socialiste paraqitën lexime të ndryshme mbi situatën aktuale në vend.
“ Vokshi dhe Dule ngritën disa shqetësime që lidhen me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, raportin për Shqipërinë të Parlamentit Evropian dhe raportin IBAR. Gjithashtu, u diskutua mbi protestat dhe klimën politike në vend”, bëhet me dije nga njoftimi mbi mbledhjen e dy delegacioneve.
Nga ana tjetër, anëtarët e mazhorancës në delegacion mbrojtën progresin e arritur nga Shqipëria, duke vënë theksin te përkushtimi maksimal i institucioneve shtetërore për të përmbushur çdo detyrim ligjor dhe strukturor që rrjedh nga procesi i negociatave me BE-në.
Në mbyllje të vizitës, bashkëbiseduesit spanjollë ritheksuan se çelësi i avancimit të mëtejshëm mbetet vijimi i reformave të nisura, duke parë te Shqipëria një partner të rëndësishëm në rajon.