Inteligjenca artificiale, agjentja e udhëtimeve të së ardhmes
Inteligjenca artificiale mund të marrë së shpejti përsipër organizimin e plotë të pushimeve, nga përzgjedhja e destinacionit dhe rezervimi i biletave, deri te menaxhimi i ndryshimeve gjatë udhëtimit.
Sipas një raporti të kompanisë globale të teknologjisë së udhëtimeve Amadeus, viti 2032 parashikohet të shënojë një pikë kthese për industrinë, ku inteligjenca artificiale do të transformojë mënyrën se si njerëzit udhëtojnë.
Një sondazh i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), i realizuar me mbi 10 mijë persona në 200 vende, zbulon se 49% e udhëtarëve e kanë përdorur tashmë inteligjencën artificiale për planifikimin e udhëtimeve. Një pjesë e tyre e përdorin për të kërkuar fluturime, për të gjetur çmimet më të lira apo për të zbuluar destinacione të reja.
Sipas një raporti të Booking.com, vetëm 12% e tyre do të ndiheshin rehat nëse inteligjenca artificiale do të merrte vendime të pavarura në emër të tyre.
Nga ana tjetër, 89% e të anketuarve shprehen se dëshirojnë ta përdorin këtë teknologji në udhëtimet e ardhshme. Madje, 64% do të ishin të gatshëm të paguanin për një asistent virtual që t’u ofronte informacion dhe ndihmë gjatë pushimeve.