Ish-bankieri i JPMorgan humbet betejën për anonimitetin në gjyq, ndërsa skandali i “sex slave” thellohet
Një tjetër goditje e rëndë ligjore ka goditur ish-bankierin e JPMorgan, Chirayu Rana, në procesin gjyqësor që ka tronditur opinionin publik amerikan me pretendime për abuzim seksual, presion psikologjik dhe degradim racial brenda një prej bankave më të mëdha në botë.
Një gjykatëse në Manhattan vendosi të martën se Rana nuk mund të vazhdojë të mbetet anonim në procesin gjyqësor kundër drejtueses së JPMorgan, Lorna Hajdini, dhe vetë bankës, duke refuzuar kërkesën që ai të identifikohej vetëm si “John Doe” në dokumentet zyrtare të gjykatës.
Vendimi erdhi vetëm pak orë pasi avokati i tij i njohur, Daniel Kaiser, njoftoi largimin nga çështja, duke deklaruar se ai dhe klienti i tij kishin vendosur “me marrëveshje të përbashkët” t’i jepnin fund bashkëpunimit.
Gjykatësja e Gjykatës Supreme të Manhattanit, Dakota D. Ramseur, ishte e prerë në argumentimin e saj.
“Praktika gjyqësore është shumë e qartë. Nuk mund ta kthesh më xhindin brenda shishes,” deklaroi ajo gjatë seancës, duke iu referuar faktit se identiteti i Rana-s tashmë ishte bërë publik në media.
Emri i Chirayu Rana u publikua nga media amerikane pasi ai ngriti padinë kundër Lorna Hajdinit dhe JPMorgan më herët gjatë këtij muaji. Megjithatë, në dokumentet zyrtare të gjykatës ai vazhdonte të figuronte si “John Doe”, duke pretenduar se ishte viktimë e ngacmimit dhe sulmit seksual dhe se meritonte mbrojtje të identitetit të tij.
Avokatët e Lorna Hajdinit dhe JPMorgan argumentuan në gjykatë se mbajtja sekrete e identitetit të Rana-s do të ishte e padrejtë dhe paragjykuese për klientët e tyre, emrat e të cilëve po përballen publikisht me akuza të rënda dhe sensacionale.
Avokatja e Hajdinit, Melissa Rodriguez, argumentoi se Rana kishte marrë pjesë vetë në mbulimin mediatik të çështjes dhe madje kishte angazhuar një kompani të menaxhimit të krizave për të komunikuar me mediat.
“Ai vetë ka folur publikisht me median,” deklaroi Rodriguez, duke përmendur një intervistë të dhënë së fundmi nga Rana për revistën “The Juggernaut”, ku kishte rrëfyer historinë e jetës së tij.
Sipas saj, padia e paraqitur nga Rana ishte aq e detajuar, me emra projektesh dhe drejtuesish të bankës, sa çdo gazetar mund të identifikonte lehtësisht personat e përfshirë.
“Publiku duhet të dijë çfarë po ndodh,” shtoi Rodriguez, duke theksuar se klientja e saj nuk mund të pastrojë emrin e vet ndërsa pala tjetër gëzon privilegjin e anonimitetit.
Vetë Daniel Kaiser u paraqit në seancë dukshëm i papërgatitur dhe pa mundur të përmendte ndonjë precedent ligjor ku një person të kishte ruajtur anonimitetin pasi identiteti i tij ishte bërë tashmë publik.
“Nuk jam në dijeni të ndonjë rasti të tillë,” pranoi ai përpara gjykatëses.
Megjithatë, Kaiser argumentoi se natyra sensitive e akuzave duhet të mjaftonte për të garantuar konfidencialitetin e klientit të tij në dokumentet gjyqësore.
Në qendër të çështjes qëndrojnë pretendimet dramatike të Chirayu Rana, i cili thotë se ishte subjekt i një fushate të vazhdueshme shtrëngimi seksual dhe degradimi racial gjatë kohës që punonte në JPMorgan.
Ai pretendon se Lorna Hajdini e kishte kërcënuar me ulje të bonusit dhe pasoja profesionale nëse nuk pranonte të bëhej “skllavi seksual” i saj.
Nga ana tjetër, Hajdini ka ngritur një kundërpadi për shpifje, duke i cilësuar akuzat si të fabrikuara dhe dëmtuese për reputacionin e saj profesional.
As Rana dhe as Hajdini nuk morën pjesë personalisht në seancën gjyqësore që zgjati rreth një orë.
Gjatë seancës, gjykatësja Ramseur u bëri thirrje palëve që të shqyrtojnë mundësinë e një marrëveshjeje jashtë gjykate për t’i dhënë fund konfliktit.
Burime pranë çështjes kishin deklaruar më herët për mediat amerikane se JPMorgan i kishte ofruar Rana-s 1 milion dollarë për të hequr dorë nga pretendimet e tij, megjithëse banka i ka mohuar akuzat dhe i ka cilësuar ato si “të fabrikuara”.
Seanca e ardhshme gjyqësore në këtë çështje është caktuar për datën 23 qershor, ndërsa skandali vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe publike dhe mediatike në SHBA.