Ish-ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu: Shqipëria e fortë është prioriteti
Ish-ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh politik ku thekson rëndësinë e forcimit të shtetit shqiptar dhe stabilitetit të tij në rajon.
Reagimi i tij lidhet me protestën qytetare që zhvillohet prej 22 ditësh në Tiranë.
Në një postim të gjatë, Vengu shkruan se “krahas brohoritjeve për një Shqipëri të re, unë jam për një Shqipëri të fortë”, duke e vendosur theksin te stabiliteti institucional dhe roli gjeopolitik i vendit.
Ai rendit tre, siç i quan, “fakte themelore” për shqiptarët në Evropën Juglindore. Sipas tij, një nga avantazhet kryesore strategjike të Shqipërisë është fakti që ajo ndodhet në një rajon ku jetojnë shqiptarë, gjë që ai e cilëson si një kapital të rëndësishëm njerëzor dhe gjeopolitik.
Vengu thekson gjithashtu se forcimi ekonomik, diplomatik dhe ndërkombëtar i Shqipërisë në dekadën e fundit po sjell, sipas tij, më shumë siguri dhe më shumë ndikim për shqiptarët në rajon, duke shtuar se Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian.
Në reagimin e tij, ish-ministri vlerëson edhe rolin e Shqipërisë si “shtet amë”, duke deklaruar se ajo e ka ushtruar këtë rol “pa komplekse”, si në diplomaci ashtu edhe në mbrojtje të interesave kombëtare.
Duke iu referuar thirrjeve për “revolucion”, Vengu paralajmëron se destabilizimi i Tiranës nuk duhet të shihet si patriotizëm, por si një veprim që, sipas tij, nuk i shërben interesit kombëtar.
“Tirana nuk është thjesht kryeqytet, por qendra politike, ekonomike dhe diplomatike e gravitetit të shqiptarëve në rajon”, shkruan ai, duke shtuar se Shqipëria ka vetëm një qendër strategjike graviteti, e cila duhet të mbetet e fortë.
Në përfundim të mesazhit të tij, Vengu thekson se “Shqipëria e fortë” është një detyrë më e vështirë sesa slogani i një “Shqipërie të re”, duke deklaruar se ai zgjedh “detyrën”.