Ish-portieri kampion, Kotorri: Egnatia e fortë, Elbasani përballet me këdo
Elbasani ka lënë pas suksesin ndaj Dinamos dhe ka kthyer menjëherë vëmendjen nga një tjetër përballje e rëndësishme, ajo me Egnatian në transfertë. Verdheblutë kanë nisur përgatitjet anti-Egnatia, me synimin për të ruajtur ritmin e rezultateve pozitive dhe për të marrë një tjetër rezultat që do t’i shërbente objektivave të skuadrës në kampionat. Fitorja 1-0 ndaj bluve të kryeqytetit ka rikthyer qetësinë dhe besimin në grup, ndërsa në Rrogozhinë kërkohet vazhdimësia.
Për “Panorama Sport”, Elvis Kotorri, ish-portieri kampion me verdheblutë dhe aktualisht pjesë e stafit teknik si trajner i portierëve, vlerëson rëndësinë e tri pikëve ndaj Dinamos. Sipas tij, përtej vlerës së tyre në renditje, ky sukses ka një ndikim të rëndësishëm në aspektin psikologjik, pasi i jep skuadrës më shumë besim për ndeshjet e ardhshme.
“Fitorja me Dinamon ishte shumë e rëndësishme për ne. Dinamo është një kundërshtar me pretendime dhe përballje të tilla kanë gjithmonë një vlerë të veçantë. Mendoj se skuadra kishte nevojë për këto tri pikë, jo vetëm për renditjen, por sidomos për aspektin moral. Një fitore e tillë të jep besim, të rrit motivimin dhe të ndihmon të punosh më i qetë gjatë javës. Megjithatë, kampionati është i gjatë dhe duhet të ruajmë përqendrimin, pasi një rezultat pozitiv duhet të pasohet nga të tjerë”, u shpreh fillimisht Elvis Kotorri.
EGNATIA
Pas Dinamos, kalendari i rezervon Elbasanit një tjetër përballje të vështirë, këtë herë në transfertë ndaj Egnatias. Kotorri vlerëson forcën e Egnatias, por beson te potenciali i skuadrës së tij për të zhvilluar një ndeshje të mirë dhe për të marrë maksimumin. Një rezultat pozitiv do të kishte rëndësi të veçantë edhe për të thyer vështirësitë që Elbasani ka hasur në transfertat e këtij sezoni.
“Egnatia është një kundërshtar shumë i fortë, një skuadër e organizuar dhe me futbollistë cilësorë. Ka bërë mirë si në kampionat, por edhe në Europë. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, sidomos duke luajtur në fushën e tyre, por kemi besim te forcat tona. Elbasani ka treguar se ka një grup me cilësi dhe mund të përballet me çdo kundërshtar. Në kampionatin shqiptar nuk ka skuadra të dobëta apo të forta. Shpresoj dhe kam besim që skuadra të marrë një rezultat pozitiv dhe të vazhdojë me këtë frymë që ka krijuar pas fitores me Dinamon”, vijoi më tej Kotorri.
PORTIERËT
Në portë Elbasani ka alternativa të rëndësishme, teksa Kotorri “ngacmohet” edhe për portierët. Krahasimi mes Janaçekut, portierit të sezonit të kaluar dhe Aleksovskit, gardianit aktual, nxjerr në pah karakteristika të ndryshme në stilin e lojës. Për më tepër, Elbasani ka në dispozicion edhe Klevi Totoshin dhe Redon Gegën, të cilët përbëjnë alternativa të denja për të mbrojtur katërkëndëshin verdheblu.
“Të dy janë portierë shumë të mirë, por ndryshojnë si nga statura, ashtu edhe nga stili i lojës. Janaçeku ka një strukturë më të madhe fizike dhe është më i fortë në luftën në ajër. Aleksovski është më i fortë në lojën një kundër një dhe në mbrojtjen e portës me reflekset e tij. Por të dy janë portierë të një niveli shumë të lartë. Nga ana tjetër, kemi edhe Klevi Totoshin dhe Redon Gegën, të cilët janë të denjë për të mbrojtur portën e Elbasanit. Mendoj se kemi një grup shumë të mirë portierësh dhe kjo është diçka pozitive për skuadrën”, përfundoi Kotorri.