ITALI – Kufizohet çmimi i naftës dhe benzinës për të lehtësuar qytetarët
ROMË, 28 shtator /ATSH-DPA/- Kompanitë italiane të karburanteve “Eni” dhe “Italiana Petroli” (IP) kanë vendosur një çmim maksimal për naftën dhe benzinën, për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset që po përballen me rritjen e çmimeve të karburanteve.
Kompania “Eni” ka vendosur që çmimi të mos kalojë 2,19 euro për litër për naftën dhe 1,99 euro për litër për benzinën.
Ky kufi do të jetë në fuqi fillimisht për 30 ditë. “Eni” tha se po shqyrton mundësinë që masa të vazhdojë deri në fund të vitit.
Sipas kompanisë, çmimet e karburanteve janë rritur ndjeshëm, për shkak të krizave dhe tensioneve të vazhdueshme ndërkombëtare. “Eni” tha se vendimi synon të ndihmojë familjet, konsumatorët dhe bizneset italiane.
Edhe IP, e cila operon nga kompania shtetërore e naftës e Azerbajxhanit SOCAR, ka njoftuar se do të vendosë një çmim maksimal për karburantet.
Kompania nuk ka bërë ende të ditur shifrën, por tha se vendimi u mor pas kërkesës së qeverisë italiane.
Masa vjen në një kohë kur qeveria italiane po ul ndihmën që u jepte qytetarëve për çmimin e naftës.
Të shtunën, ulja e taksës për karburantet u përgjysmua, nga 0,122 euro në 0,061 euro për litër.
Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 5 tetor.
Pas kësaj date, qeveria planifikon një mënyrë të re, për të ndryshuar taksat mbi karburantet në varësi të çmimeve.
Qëllimi është që ndryshimi i taksave të ndihmojë në kontrollin e çmimeve të karburanteve.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni falënderoi kompanitë për vendimin, duke thënë se kufizimi i çmimeve është një ndihmë për familjet italiane.
Megjithatë, pakënaqësia për çmimet e larta të karburanteve po rritet.
Kompanitë e transportit në Siçili kanë njoftuar një grevë në mes të tetorit.
Edhe fermerët në ishull po protestojnë, ndërsa sindikatat e taksive kanë paralajmëruar gjithashtu greva. /