E premte, 27 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Itali, miratohet reforma në arsim. Jo më burka në shkolla dhe më pak të huaj

Itali, miratohet reforma në arsim. Jo më burka në shkolla dhe më pak të huaj

Italia ka aprovuar reformën e kontestuar në arsim, që ndalon mbulimin e fytyrës në shkolla dhe vendos një kufi prej 30 për qind për studentët me origjinë të huaj në klasat fillore.

Kufiri nuk do të aplikohet për nxënësit që kanë një dijeni të mirë të gjuhës italiane, ndërkohë që ndalimi i mbulimit të fytyrës do të parandalojë që nxënëset myslimane të veshin burka dhe nikab në klasa.

Ligji parashikon gjithashtu kurse të gjuhës italiane për prindërit e huaj.

Dhoma e Deputetëve e dha aprovimin përfundimtar për atë që njihet si “Decreto Scuola” me 142 vota pro, 112 kundër dhe 4 abstenim, pas aprovimit të tij nga Senati më 20 nëntor.

Votimi u kundërshtua nga ligjvënësit e opozitës, të cilët ngritën në sallën e Parlamentit një parullë ku thuhej: “Në shkolla askush nuk është i huaj”.

Gjithashtu, partitë e opozitës i kritikuan kufizimet, duke akuzuar qeverinë se kishte dështuar të zgjidhte sfidat reale me të cilat përballet sistemi arsimor në Itali.

“Problemi nuk është se sa fëmijë të huaj janë në një klasë, por sa mësues dhe çfarë mjetesh ofrojmë ne për të garantuar të drejtën e kujtdo për të studiuar. Çdo gjë tjetër është diskriminim dhe racizëm”, deklaroi Antonio Caso, nga Lëvizja 5 Yjet.

Por, përveç përplasjeve lidhur me kufizimin e studentëve të huaj, pozita dhe opozita u përplasën edhe për masën për hyrjen e librave elektronike në gjimnaze dhe universitete, projekt që ka përçarë edhe vetë koalicionin qeverisës të qendrës së djathtë.

Në bazë të legjislacionit të ri, botuesit e teksteve shkollore dhe universitare do të duhet të ofrojnë versione digjitale të botimeve të tyre me 50 për qind të çmimit të librave të printuar.

Lini një koment