Tuesday, 25 August 2026
54°F Detroit
BallinaBotaITALI – Tërmeti pranë Pizës nuk e dëmton Kullën e Pjerrët

ITALI – Tërmeti pranë Pizës nuk e dëmton Kullën e Pjerrët

ROMË, 4 gusht /ATSH-DPA/ – Zona përreth qytetit qendror italian të Pizës është tronditur nga një tërmet.

Autoritetet e qytetit thanë sot se shumë njerëz kishin dalë me nxitim në rrugë nga frika e dëmeve të mëdha.

Qindra thirrje u bënë në numrin e emergjencës 112 pas tërmetit, i cili ndodhi rreth orës 10:15 (08:15 GMT).

Nuk pati raportime fillestare për lëndime ose dëme.

Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) i Italisë tha se dridhja kishte një magnitudë prej 4,3 ballësh Rihter.

Epiqendra e tij ishte afërsisht 7,0 kilometra nga Piza në një thellësi prej tetë kilometrash.

Piza është e njohur në të gjithë botën për Kullën e saj të Pjerrët, e cila është më shumë se 50 metra e lartë.

Raportet fillestare nga autoritetet thanë se ajo nuk ishte dëmtuar dhe se mbeti e hapur për vizitorët.

Italia shtrihet në kufirin midis pllakave tektonike afrikane dhe euroaziatike dhe i gjithë vendi preket rregullisht nga dridhjet.

Fundjavën e kaluar, pati një dridhje të dhunshme në qytetin jugor italian të Napolit – më e forta në katër dekada. Njëzet e gjashtë persona u plagosën në tërmetin me magnitudë 4,7./ a.jor.

Lini një koment