E diel, 8 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›IZRAEL – Eisenkot merr zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë së re

IZRAEL – Eisenkot merr zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë së re

– Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog i dorëzoi zyrtarisht sot mandatin liderit të partisë Yashar, Gadi Eisenkot, për formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit, të cilat nuk rezultuan me një shumicë të qartë në parlament, sipas “The Jerusalem Post”.

Ceremonia e dorëzimit të mandatit u zhvillua në rezidencën presidenciale në Jerusalem, ku Herzog i kërkoi ish-shefit të ushtrisë të bëjë gjithçka që është e mundur, për të krijuar një qeveri që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të vendit.

Eisenkot deklaroi se e merr këtë përgjegjësi në një moment të vështirë për Izraelin, duke iu referuar situatës së sigurisë dhe krizës diplomatike me të cilën po përballet vendi.

Ai u shpreh se synon të krijojë një qeveri të unitetit dhe të emergjencës kombëtare, duke theksuar se Izraeli nuk ka kohë për të humbur dhe as për të përsëritur cikle të pafundme zgjedhore.

Sipas ligjit izraelit, Eisenkot ka 28 ditë kohë për të negociuar me partitë politike dhe për të siguruar mbështetjen e të paktën 61 prej 120 deputetëve të Knessetit, parlamentit izraelit.

Nëse nuk arrin ta përfundojë procesin brenda këtij afati, presidenti mund t’i japë edhe 14 ditë shtesë.

Gjatë konsultimeve me partitë politike, Eisenkot mori mbështetjen e 67 deputetëve për të marrë mandatin, ndërsa kryeministri aktual Benjamin Netanyahu u rekomandua nga 46 deputetë.

Një grup prej shtatë deputetësh nuk mbështeti asnjërin prej kandidatëve.

Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve e bën të vështirë krijimin e një shumice qeverisëse.

Blloku opozitar i udhëhequr nga Eisenkot siguroi 48 vende në parlament, ndërsa kampi i Netanyahut mori 53.

Dy partitë arabe siguruan së bashku 19 vende, duke regjistruar një rezultat të paprecedentë.

Mbështetja e partive arabe për marrjen e mandatit nuk nënkupton automatikisht se ato do të bëhen pjesë e koalicionit qeverisës.

Eisenkot ka përjashtuar deri tani mundësinë e krijimit të një qeverie të mbështetur drejtpërdrejt në këto parti, ndërsa disa nga aleatët e tij politikë kundërshtojnë bashkëpunimin me to.

Një nga mundësitë për krijimin e shumicës është afrimi me partitë ultraortodokse, “Shas” dhe “Judaizmi i Bashkuar i Torës”.

Megjithatë, negociatat me këto forca politike pritet të jenë të vështira, për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Eisenkot dhe aleatët e tij kanë kërkuar t’i jepet fund përjashtimit të komunitetit ultraortodoks nga shërbimi ushtarak, një çështje që ka shkaktuar debate të forta në shoqërinë izraelite, veçanërisht pas viteve të konfliktit dhe mobilizimit të rezervistëve.

Një tjetër mundësi është krijimi i një qeverie të unitetit kombëtar me pjesëmarrjen e Netanyahut, propozim që ky i fundit e ka hedhur në diskutim.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse dy rivalët politikë mund të arrijnë një marrëveshje për ndarjen e pushtetit.

Gjatë ceremonisë, Eisenkot paraqiti edhe disa kushte për partitë që mund të bëhen pjesë e qeverisë së tij.

Ai kërkoi mbështetje për Izraelin si shtet hebre dhe demokratik, respektimin e Deklaratës së Pavarësisë, shërbimin ushtarak ose kombëtar dhe njohjen e Hamasit si organizatë terroriste.

Ndërkohë, Netanyahu ka kundërshtuar mundësinë e krijimit të një qeverie që mbështetet te partitë arabe, duke pretenduar se një koalicion i tillë do të përbënte rrezik për vendin.

Këto deklarata janë kundërshtuar nga përfaqësuesit e partive arabe, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur largimin e tij nga pushteti.

Nëse Eisenkot nuk arrin të formojë qeverinë brenda afatit ligjor, presidenti mund t’ia besojë këtë detyrë një tjetër deputeti.

Në rast se edhe përpjekjet e mëvonshme dështojnë, Izraeli mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

Deri në formimin dhe miratimin e një qeverie të re nga Knesseti, Benjamin Netanyahu do të vijojë të qëndrojë në detyrë si kryeministër në largim, në cilësinë e drejtuesit të qeverisë kujdestare.

Eisenkot, 66 vjeç, ka drejtuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nga viti 2015 deri në vitin 2019.

Ai u bë një nga rivalët kryesorë politikë të Netanyahut dhe udhëheqës i partisë Yashar, duke synuar të bashkojë forcat opozitare për ndryshimin e qeverisë. /

Lini një koment