“Janë çështje të brendshme”- Ambasadori i ri i Izraelit: Nuk ndërhyjmë në protestat në Shqipëri!
Ambasadori i ri i Izraelit në Shqipëri, Ohad Nakash Kaynar, ka komentuar protestat e zhvilluara në Tiranë, gjatë një interviste ekskluzive në Euronews për gazetarin Thimi Samarxhi.
Ambasadori theksoi se kjo nuk është çështje që i takon atij apo Izraelit.
“Si ambasador, kjo nuk është puna ime. Nuk është kurrsesi punë e Izraelit. Megjithatë, si një izraelit që vjen këtu për herë të parë, ju keni një qytet shumë të bukur, të rrethuar nga male shumë të bukura, dhe të vish të shohësh ndërtesa të djegura të shkakton keqardhje. Kur po ecja në Tiranë, ishte për të ardhur keq të shihje disa nga pasojat e protestave, përfshirë ndërtesat e djegura. Më shkakton keqardhje, edhe pse nuk është puna ime. Është diçka që më bën të mendoj se diçka po ndodh”, u shpreh ambasadori.
Sipas ambasadorit, protestat kanë ndikuar në perceptimet e një pjese të qytetarëve në të dy vendet, ku disa izraelitë dhe disa shqiptarë mund të mendojnë se protestat i kanë vënë në shënjestër ose se nuk janë të mirëpritur.
“Këto ditë, fatkeqësisht, ky besim është zvogëluar pak dhe njerëzit, disa njerëz, jo të gjithë, por disa njerëz në Izrael dhe disa njerëz këtu shikojnë njëri tjetrin dhe thonë: ndoshta po na targetojnë neve me protestat. Ndoshta po na vënë në shënjestër dhe nuk na duan. Kjo më pas ndikon çdo gjë tjetër.”, deklaroi ai.
Gjatë intervistës, Nakash Kaynar foli edhe për objektivat e tij në drejtimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit. Ai tha se prioriteti i tij është forcimi i kontakteve mes qytetarëve të dy vendeve, duke theksuar se besimi është kusht i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Një tjetër objektiv, sipas tij, është rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Ambasadori vlerësoi se aktualisht tregtia Shqipëri-Izrael është në nivele minimale dhe se ka potencial për të arritur në disa qindra milionë euro.
Ai theksoi se për të arritur këtë objektiv nevojitet besim, transparencë në marrëdhëniet e biznesit dhe krijimi i një klime ku qytetarët shqiptarë të ndihen të sigurt në bashkëpunimin me sipërmarrësit izraelitë.
Si prioritet të tretë, Nakash Kaynar përmendi inovacionin, duke nënvizuar përvojën e Izraelit në investimet për kërkim dhe zhvillim dhe mundësitë për ta sjellë këtë bashkëpunim edhe në Shqipëri.
Në fund, ai u ndal edhe te turizmi, duke thënë se ai po zhvillohet mes dy vendeve dhe se do të vijojë pavarësisht angazhimit të tij, ndërsa shtoi se do të ishte i gatshëm të kontribuonte për zgjerimin e mëtejshëm të tij.