E diel, 8 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›JAPONI – Tërmet me magnitudë 5,7 ballë Rihter, mbi 20 të plagosur dhe dëme materiale

JAPONI – Tërmet me magnitudë 5,7 ballë Rihter, mbi 20 të plagosur dhe dëme materiale

– Një tërmet i fortë me magnitudë 5,7 ballë Rihter, goditi Japoninë qendrore në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar plagosjen e më shumë se 20 personave, dëme materiale dhe ndërprerje të përkohshme të shërbimeve hekurudhore, sipas AP.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, tërmeti u regjistrua në orën 01:04 sipas kohës lokale, me epiqendër në pjesën perëndimore të prefekturës Shizuoka, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash.

Lëkundjet u ndjenë në një zonë të gjerë të Japonisë qendrore, veçanërisht në prefekturën Aichi, si dhe në zonat përreth, përfshirë Hamamatsu, Kioto, Nara, Yamanashi dhe Gifu. Tërmeti nuk u ndje në Tokio.

Sipas raportimeve të medias lokale, të paktën 22 persona mbetën të plagosur. Disa prej tyre u rrëzuan në shkallë ose pësuan plagë ndërsa përpiqeshin të dilnin me nxitim nga ndërtesat.

Në qytete të ndryshme u raportuan dëme materiale. Pamjet e transmetuara nga televizionet japoneze treguan vitrina të thyera dyqanesh dhe copa xhami të shpërndara në rrugë. Në një librari, shumë libra ranë nga raftet si pasojë e lëkundjeve.

Në qytetin Toyohashi, në prefekturën Aichi, u thyen xhamat e një pike shitjeje automjetesh, ndërsa në një librari në qytetin Toyota, mallrat ranë nga raftet.

Autoritetet nuk raportuan viktima, ndërsa nuk u lëshua asnjë paralajmërim për cunami.

Tërmeti shkaktoi gjithashtu vonesa dhe pezullime të përkohshme të disa shërbimeve hekurudhore. Trenat me shpejtësi të lartë “Shinkansen” vijuan të qarkullonin me shpejtësi të reduktuar në zonat e prekura, si masë parandaluese dhe për të mundësuar kontrollet e sigurisë në linjat hekurudhore.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes gjatë ditëve në vijim, pasi mundësia e lëkundjeve të tjera të forta mbetet e pranishme, veçanërisht gjatë dy deri në tri ditëve të ardhshme.

Zyrtarët paralajmëruan gjithashtu për rrezikun e rrëshqitjeve të dheut dhe rënies së shkëmbinjve, veçanërisht në rast reshjesh shiu.

Autoritetet thanë se deri në momentin e raportimit nuk ishte konstatuar ndonjë ndryshim i dukshëm në zonën e Hendekut Nankai, një zonë nënujorë tektonike në brigjet e Japonisë, ku shkencëtarët paralajmërojnë prej kohësh mundësinë e një tërmeti shumë të fuqishëm.

Japonia ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik, ku regjistrohen qindra tërmete çdo vit. /

Lini një koment