Jaupaj takim me një delegacion eurodeputetësh të PE: Çdo projekt i mundshëm në Zvërnec do t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe konsultimit publik
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, zhvilloi një takim me një delegacion eurodeputetësh të Parlamentit Europian, ku në fokus të diskutimeve ishte ecuria e Shqipërisë në Kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike” si edhe projekti i mundshëm në Zvërnec dhe garancitë për mbrojtjen e mjedisit.
Gjatë takimit me eurodeputetët Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg, ministri informoi mbi mënyrën se si po ndiqet çështja e projektit të mundshëm në Zvërnec.
Ai theksoi se, në përputhje me qëndrimin e bërë publik edhe nga Kryeministri, çdo projekt i mundshëm në Zvërnec do t’i nënshtrohet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), të gjitha procedurave ligjore, konsultimit publik dhe një procesi plotësisht transparent.
“I informova mbi ecurinë e procesit të integrimit në fushën e mjedisit, si edhe mbi arritjet kryesore të Shqipërisë, e cila sot konsiderohet një nga kampionet e Ballkanit Perëndimor në mbrojtjen e mjedisit dhe biodiversitetit. Gjithashtu, i informova se çështja e projektit të mundshëm në Zvërnec është ndjekur dhe po ndiqet nga Ministria e Mjedisit me diligjencën më të madhe, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian. Siç është theksuar edhe nga Kryeministri, çdo projekt i mundshëm do t’i nënshtrohet Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), të gjitha procedurave ligjore, konsultimit publik dhe një procesi plotësisht transparent, me mbrojtjen e biodiversitetit dhe të vlerave natyrore si prioritet të panegociueshëm”, shkruan Ministri.
Sipas Jaupajt, Ministria e Mjedisit po e trajton këtë proces me kujdesin më të madh, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet e Bashkimit Europian.
“Shqipëria është e vendosur të respektojë plotësisht standardet europiane në çdo vendimmarrje që lidhet me mjedisin, duke garantuar se zhvillimi dhe ruajtja e natyrës do të ecin gjithmonë në përputhje me ligjin, shkencën dhe interesin publik”, thekson ai.