E mërkurë, 25 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Java Kulturore Kosovë-Shqipëri, ekspozitë me fotografi historike të veshjeve tradicionale shqiptare

Java Kulturore Kosovë-Shqipëri, ekspozitë me fotografi historike të veshjeve tradicionale shqiptare

“Rikthim në traditë – Veshjet popullore të shqiptarëve” titullohet ekspozita e çelur nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në kuadër të Javës Kulturore Kombëtare Kosovë–Shqipëri.

Në ekspozitën e çelur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u prezantuan fotografi historike nga fondet arkivore të të dy institucioneve.

Ekspozita solli para publikut larminë dhe veçantinë e veshjeve tradicionale shqiptare, duke dokumentuar aspekte të jetës së përditshme, si dhe figura të njohura të historisë, artit dhe kulturës shqiptare.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, dr. Denald Prifti, vlerësoi kontributin e fotografëve të hershëm shqiptarë, ndër ta edhe fotografët e familjes Marubi, të cilët kanë dokumentuar një pasuri të çmuar të trashëgimisë sonë kombëtare.

Ai theksoi rëndësinë e këtyre fotografive në njohjen dhe përcjelljen e traditës së veshjeve popullore te brezat e rinj, si dhe vlerën e bashkëpunimit ndërinstitucional në ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike e kulturore.

Në çeljen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe zëvendësdrejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Mehmed Xhemajli, i cili vlerësoi veshjet popullore shqiptare si një nga shprehjet më të pasura të trashëgimisë kulturore, duke veçuar xhubletën si dëshmi të rrallë të mjeshtërisë tradicionale shqiptare.

Ekspozita përbën një tjetër dëshmi të bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet dy institucioneve arkivore, në funksion të ruajtjes, promovimit dhe përcjelljes së vlerave të përbashkëta të trashëgimisë kombëtare shqiptare.

/k.s/r.e/

Lini një koment