“Jeta e Gen Z nuk është si në vitin 2013”, ministri Gonxhja: Morëm një Shqipëri me një pajë tragjike
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, komentoi protestat e fundit dhe reagimin e të rinjve të Gjeneratës Z, duke theksuar se kjo grupmoshë nuk e ka përjetuar realitetin e Shqipërisë para vitit 2013 dhe për këtë arsye nuk mund të bëjë të njëjtin krahasim me situatën aktuale.
Sipas Gonxhes, të rinjtë kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, por duhet të kenë parasysh ndryshimet e mëdha që ka kaluar vendi në më shumë se një dekadë.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Gonxhja u shpreh se PS mori një Shqipëri me një pajë tragjike në 2013-ën.
“Për gjeneratën Z kam një vëmendje të ndryshme, sepse ata janë shumë më të rinj, vijnë nga një jetë e cila e justifikon që padurimin e tyre ta shpalosin me një forcë si ajo që ndodhi në ditët e para të kësaj indinjate e cila u shpreh në ditët e para, që ishin krejt ndryshe nga këto ditët e fundit, që lënë shumë për të dëshiruar. Duket nga pjesëmarrja dhe artikulimi që dëgjojmë. Kjo gjeneratë për nga mosha s’e ka arritur se çfarë ka qenë Shqipëria e vitit 2013, dhe Shqipëria e vitit 2026 duket sikur është Shqipëria e gjithë tranzicionit, në fakt nuk është tranzicioni dhe si me thënë, jeta e 2026-ës s’ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur para vitit 2013″, u shpreh ministri.
“Nuk është aspak njëlloj. Ne kemi marrë një Shqipëri me një pajë tragjike në vitin 2013 në të gjitha pikëpamjet e parametrave të shtetit, në të gjitha parametrat e ekonomisë, shërbimeve jetike, uji, dritat. Në Shqipërinë e sotme s’paguan Tirana dritat e qyteteve të tjera të Shqipërisë. S’ke asnjë nga fenomenet që ne kemi mbartur. Ne kishim një buxhet shteti që lëngonte sepse s’paguante dot detyrimet e pak punëve publike të nisura. Gjenerata Z s’e ka jetuar atë periudhë dhe s’e ka atë informacion”, tha Gonxhja.