John Goci organizon aktivitet fondmbledhës në West Bloomfield
Kandidati shqiptaro-amerikan për Kongres fton mbështetësit në një mbrëmje takimi dhe diskutimi
WEST BLOOMFIELD, MI – Kandidati shqiptaro-amerikan për Kongres, John Goci, do të zhvillojë më 8 qershor një aktivitet fondmbledhës në West Bloomfield Township, Michigan, në kuadër të fushatës së tij elektorale.
Takimi do të mbahet nga ora 6:00 deri në 8:30 të mbrëmjes në restorantin “NARA Sushi and Hibachi Steakhouse”, në adresën 5656 W. Maple Road.
Sipas njoftimit të fushatës, aktiviteti synon të mbledhë mbështetës, aktivistë dhe anëtarë të komunitetit për një mbrëmje diskutimesh mbi sfidat dhe prioritetet e zonës, si dhe për të prezantuar më nga afër vizionin e kandidatit për përfaqësimin në Kongres.
Organizatorët theksojnë se pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takojnë personalisht John Gocin, të ndajnë ide dhe sugjerime, si dhe të diskutojnë mbi çështje që prekin komunitetin dhe të ardhmen e rajonit.
Nën moton “Mbështetja juaj. E ardhmja jonë. Një e nesërme më e fortë”, fushata e Gocit po përpiqet të mobilizojë mbështetësit e saj përpara fazës më intensive të garës elektorale.
John Goci është një nga figurat shqiptaro-amerikane që synon të përfaqësojë zonën në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa komuniteti shqiptar në Michigan po ndjek me interes zhvillimet e kësaj kandidature.
