Saturday, 31 October 2026
54°F Detroit
Ballina›Politika›Kandidati për guvernator të Nju Jorkut premton mbështetje për shqiptarët: “Janë popull punëtor”

Kandidati për guvernator të Nju Jorkut premton mbështetje për shqiptarët: “Janë popull punëtor”

Bruce Blakeman vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe tha se do të mbështesë shqiptarët dhe familjet e tyre

Bruce Blakeman, kandidat republikan për guvernator të Nju Jorkut dhe bashkëpunëtor i afërt i presidentit Donald Trump, ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan, duke premtuar se do t’i mbështesë shqiptarët dhe familjet e tyre, raportojnë mediat shqipe.

“Kam shumë miq shqiptarë. Ata janë popull punëtor”, është shprehur Blakeman, i cili drejton ekzekutivin e Qarkut Nassau, duke theksuar se shqiptarët kërkojnë jetë më të mirë, vende cilësore pune, taksa më të ulëta, më shumë siguri dhe arsim më të mirë për fëmijët.

Ai vuri në pah kontributin e shqiptarëve në fusha të ndryshme të jetës amerikane, përfshirë shkencën, arsimin, teknologjinë dhe drejtësinë, si dhe përkushtimin e tyre ndaj familjes dhe punës.

Për emigracionin, Blakeman u shpreh në favor të largimit të emigrantëve me të dhëna kriminale, ndërsa për ata që ndodhen në SHBA pa dokumentacion të rregullt, por nuk janë përfshirë në krime, tha se duhet të ketë mundësi për të jetuar dhe punuar në vend.

Zgjedhjet për guvernator mbahen më 3 nëntor, në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithshme në mbarë Shtetet e Bashkuara.

Lini një koment