Kate Middleton nderon princeshën Diana në Remembrance Sunday me vathët Collingwood prej perlash
Kate Middleton e ktheu veshjen e saj të së dielës në një homazh diskret për vjehrrën e saj. Siç njofton People, Princesha e Uellsit mori pjesë më 8 nëntor në Shërbimin Kombëtar të Përkujtimit, i njohur si Remembrance Sunday, te memoriali Cenotaph në Londër, bashkë me mbretëreshën Camilla dhe anëtarë të tjerë të familjes mbretërore.
Për pamjen e saj tërësisht të zezë, Kate zgjodhi vathët Collingwood prej perlash, të cilët iu dhuruan princeshës Diana si dhuratë dasme dhe sot janë pjesë e koleksionit të saj të bizhuterive. Ajo mbante edhe një karficë me tri lulëkuqe, që besohet se nderojnë tre vëllezërit e stërgjyshes së saj Olive Middleton, të rënë në Luftën e Parë Botërore.
Simboli i lulëkuqes përdoret që nga viti 1921 për të përkujtuar ushtarakët e rënë në luftë, ndërsa karficat shiten nga Royal British Legion për të mbledhur fonde për veteranët. Kate dhe Camilla e ndoqën ceremoninë nga ballkoni i Ministrisë së Jashtme, ndërsa mbreti Charles dhe princi William vendosën kurora te memoriali, në një ceremoni që përfshiu edhe dy minuta heshtje në orën 11:00.
Një ditë më parë, të shtunën, Kate dhe William kishin marrë pjesë në Festivalin vjetor të Përkujtimit në Royal Albert Hall, ku princesha veshi një fustan të zi me pika dhe taka të zeza.