Kçiq i Madh kundër dhënies së 99 hektarëve për gurthyes, seanca e Mitrovicës së Jugut shtyhet për në orën 14:00
Banorët e Kçiqit të Madh, një nga fshatrat më të mëdhenj të Kosovës me rreth 10 mijë banorë, protestuan para nisjes së seancës së Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut kundër dhënies në shfrytëzim të një parcele prej 99 hektarësh për gurthyes. Me thirrjen “mos me bë pazare me tokat e të parëve”, ata kërkuan nga asamblistët që të mos e miratojnë këtë pikë të rendit të ditës.
Fahrush Ibrahimi, një nga banorët protestues, u shpreh i prerë kundër vendimit: “do ta kundërshtojmë 100 për qind, nuk ka pazare me toka tona të stërgjyshërve… nuk do ta lejojmë kurrë me u kry ajo punë”.
Banori tjetër, Islam Aliu, kujtoi dëmet e shkaktuara nga gurthyesi i mëparshëm në këtë zonë. Sipas tij, janë dëmtuar burimet e ujit, janë qarë shtëpitë dhe është dëmtuar rruga prej 3 kilometrash. Ai paralajmëroi se, pa masa mbrojtëse, banorët do të detyrohen të zhvendosen nga fshati.
Në seancë, debati u ashpërsua. Asamblisti i PDK-së Valon Brahimi e kundërshtoi dhënien në shfrytëzim, duke paralajmëruar pasoja juridike për komunën dhe pasoja mjedisore për banorët. Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, iu kundërpërgjigj duke e akuzuar Brahimtin për hipokrizi, pasi ky i fundit kishte qenë pjesë e komisionit që hartoi Hartën Zonale 2023/2031, e cila e dedikoi atë hapësirë për këtë qëllim. “Hipokrizia ka emër, hipokrizia e ka emrin Valon Brahimi”, tha Peci.
Përplasja verbale vijoi me shkëmbime të ashpra mes tyre. Peci: “A je kryetari ti?” Brahimi: “Unë jam asamblist, ti i jep llogari Kuvendit.” Peci: “Unë i jap llogari qytetarit.” Kryetari tha gjithashtu se dhënia në shfrytëzim është vetëm hapi i parë i procedurës. Pas debatit, seanca u shty për në orën 14:00.
Burimi: KosovaPress