KE: Ndryshimet në Ligjin për Specialen nuk duhet të cenojnë pavarësinë e gjykatës dhe besimin e viktimave
Komisioni Evropian ka prezantuar të mërkurën në Bruksel pakon vjetore të zgjerimit me raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku, siç njofton RTK-ja, një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe qëndrimit të Brukselit për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, sipas raportimit të RTK-së, përshëndeti hapat e ndërmarrë për ndryshimet në këtë ligj, por theksoi se çdo ndryshim duhet të garantojë standardet më të larta, të mos cenojë besimin e viktimave dhe të mos e dëmtojë pavarësinë e gjykatës. Ajo bëri të ditur se Komisioni Evropian do të vlerësojë nëse ndryshimet shkojnë në drejtimin e duhur për rrugën evropiane të Kosovës.
Ndërsa përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, theksoi se dëshmitë duhet të mbrohen dhe se kushti kyç është ruajtja e sigurisë dhe konfidencialitetit të dëshmitarëve. E pyetur për thirrjen e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Kallas u përgjigj se fokusi duhet të jetë te parandalimi i frikësimit të dëshmitarëve.
Sa i përket dialogut Kosovë–Serbi, siç njofton RTK-ja, në Bruksel u tha se Qeveria e Serbisë nuk e ka zbatuar Marrëveshjen e Ohrit dhe se normalizimi i marrëdhënieve mbetet element kyç, ndërsa të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi sa më shumë që vonojnë. Në raportin për Kosovën u vlerësuan organizimi i suksesshëm i zgjedhjeve, rritja ekonomike dhe përparimet në infrastrukturë.
Në rrafshin rajonal, Mali i Zi u cilësua si vendi më i avancuar, me synimin për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa Shqipëria synon mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Zgjerimi u paraqit si imperativ gjeopolitik dhe si projekt paqeje i ndërtuar mbi pajtimin.