E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KIEV – Zelensky: SHBA na propozoi lëshime territoriale në këmbim të anëtarësimit në NATO

KIEV – Zelensky: SHBA na propozoi lëshime territoriale në këmbim të anëtarësimit në NATO

KIEV, 14 nëntor /ATSH-AFP/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Shtetet e Bashkuara i kanë propozuar Ukrainës një mundësi për të lëshuar territore në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Sipas tij, propozimi u diskutua gjatë kontakteve me përfaqësuesit amerikanë, ndërsa Kievi po shqyrton edhe mundësinë e marrjes së garancive konkrete të sigurisë nga vendet perëndimore.

“Amerikanët ngritën një pyetje: Po sikur Ukraina të anëtarësohej në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi?”, u shpreh Zelensky në një bisedë dje me gazetarët, deklaratat e së cilës ishin nën embargo deri sot.

Ai theksoi se kjo ishte hera e parë që një çështje e tillë ishte ngritur në këtë mënyrë.

Presidenti ukrainas bëri të ditur se negociatat po vazhdojnë për garanci konkrete sigurie nga NATO dhe Bashkimi Evropian, të cilat do të synonin mbrojtjen e Ukrainës në rast të një agresioni të ardhshëm.

Presidenti Zelensky deklaroi se, nëse vendet perëndimore i konfirmojnë këto garanci, ai do t’ia paraqesë çështjen qytetarëve ukrainas për të vendosur nëse duhet të pranohet një marrëveshje e tillë.

“Unë nuk kam të drejtë ta marr i vetëm këtë vendim”, theksoi presidenti, duke nënvizuar se çdo marrëveshje që përfshin çështje territoriale duhet të ketë miratimin e shoqërisë ukrainase./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment