“Kina pas sulmit kibernetik”, ekspertët e BE: Sistemi ende i rrezikuar
Komisioni Evropian dyshon se sulmi kibernetik në shkallë të gjerë, që ende po përhapet në sistemet e tij elektronike, mban firmën e një rrjeti hakerash të mbështetur nga Kina.
Lajmin e kanë bërë të ditur burime në dijeni të çështjes, sipas të cilave emri i koduar i autorëve të sulmit është “Panda”.
Në komunitetin e sigurisë kibernetike, emri i kafshës përdoret për të lidhur aktorët kërcënues me shtetet që i sponsorizojnë, në këtë rast Kina.
Më 22 tetor, departamenti i teknologjisë dhe informacionit në Komisionin Evropian konstatoi praninë e një aktori dashakeq në rrjetet e brendshme.
Rreth një muaj më pas nisi dhe sulmi, me organin ekzekutiv të BE-së që duhet ende të frenojë përhapjen e virusit dhe që ditën e shtunë u detyrua të kalonte në gjendjen offline website-n e Akademisë së BE-së.
Akademia e BE-së është një platformë online që u ofron zhvillim profesional dhe të specializuar të rinjve.
“Incidenti është ende nën hetim. Aksesi publik tek platforma është çaktivizuar dhe masat për të frenuar apo zbutur impaktin e incidentit janë marrë, përfshirë zbatimin e kontrolleve zbuluese e parandaluese”, thuhet në një komunikatë të Akademisë.
Nga ana e tij, Komisioni ka konfirmuar një rrjedhje të emrave dhe adresave të email-it dhe ka paralajmëruar përdoruesit për sulme të mëtejshme ndaj të dhënave personale.
Ekspertët e sigurisë kibernetike të BE-së nuk kanë konfirmuar vjedhjen e të dhënave mbi stafin e Komisionit, edhe pse aplikacione të ndryshme të brendshme kaluan offline për motive sigurie.
Ata kanë shtuar se aktori i sponsorizuar nga Kina nuk po vinte në shënjestër sisteme apo individë të caktuar, por donte të testonte se sa thellë mund të komprometonte rrjetin e Komisionit.
Dyshimet sugjerojnë për një lidhje të hakerave me shërbimet kineze të sigurisë, bazuar në sofistikimin e sulmit dhe në përdorimin e ARTEX, një mjet elektronik i prodhimit kinez që përdor inteligjencën artificiale për të zbuluar cënueshmëritë e sistemeve.