KINEMA – Brenda Fricker, ylli i “Home Alone 2” ndërron jetë në moshën 81-vjeçare
– Aktorja irlandeze Brenda Fricker, fituese e çmimit “Oscar” për rolin e saj në filmin “My Left Foot” (1989) dhe e njohur gjithashtu për interpretimet në “Home Alone 2” dhe serialin televiziv “Casualty”, është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare, sipas BBC.
Fricker fitoi çmimin “Oscar” për Aktoren më të Mirë në Rol Dytësor në vitin 1990, falë interpretimit të nënës së personazhit të luajtur nga Daniel Day-Lewis në filmin “My Left Foot”.
Në televizion, ajo interpretoi infermieren Megan Roach në serialin e BBC, “Casualty”, ku luajti nga viti 1986 dhe u rikthye herë pas here, deri në daljen e saj të fundit në vitin 2010.
Një tjetër rol shumë i njohur ishte ai i gruas së pastrehë, që ushqente pëllumbat në Central Park, në filmin “Home Alone 2” të vitit 1992.
E lindur në Dublin, Fricker e nisi karrierën në teatër dhe televizion, përpara se të shfaqej në serialin “Coronation Street” në vitin 1977 dhe më pas në dramën televizive “Licking Hitler” në vitin 1978.
Ajo ishte pjesë e episodit të parë të serialit mjekësor “Casualty” në vitin 1986, ku luajti rregullisht deri në vitin 1990 dhe u rikthye në role të ndryshme në vitet pasuese.
Në vitin 1990, Brenda Fricker hyri në histori, si aktorja e parë irlandeze, që fitoi një çmim “Oscar”, duke lënë pas emra të njohur të Hollivudit si Julia Roberts dhe Anjelica Huston.
Filmi “My Left Foot” (1989) bazohej në historinë e vërtetë të Christy Brown, një irlandez i lindur me paralizë cerebrale, i cili mund të kontrollonte vetëm këmbën e majtë.
Rolin kryesor e interpretoi Daniel Day-Lewis, i cili gjithashtu fitoi një çmim “Oscar”.
Dy vjet më vonë, Fricker fitoi edhe më shumë popullaritet me rolin e gruas së pastrehë që miqësohej me personazhin Kevin, të interpretuar nga Macaulay Culkin, në filmin “Home Alone 2”.
Në karrierën e saj ajo interpretoi edhe në filma si “So I Married An Axe Murderer” (1993), “Angels in the Outfield” (1994), “A Time to Kill” (1996) dhe “Veronica Guerin” (2003). /