Klosi: Fushata lokale e 9 Majit do të jetë klasike. Kandidatët do të mbështeten nga strukturat
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste deklaroi në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se fushata për zgjedhjet lokale të 9 majit do të jetë një garë klasike, ku kandidatët do të zgjidhen dhe do të mbështeten nga strukturat e partisë.
“Fushata e Tiranës do të jetë fushatë klasike me një kandidat të zgjedhur nga strukturat e Partisë Socialiste, të votuar në sensin e mbështetur nga strukturat tona,” ka thënë ai.
Sipas Klosit, do të jetë proces dhe në shumë bashki tashmë janë kandidatura të konsoliduara që kanë filluar fushatën.
Ai theksoi se gara në Tiranë do të zhvillohet me “flamuri i PS-së, programi i PS-së, lidershipi i PS-së, Edi Rama, të gjithë drejtuesit e Partisë Socialiste”, të cilët “do të jenë në këtë garën e Tiranës për t’i dhënë qytetarëve besim që ato që kemi premtuar do t’i çojmë përpara”.
Klosi ka nënvizoi se Partia Socialiste nuk ka asnjë dyshim për garën në kryeqytet: “Po ne s’kemi asnjë dyshim për garën, nuk kemi asnjë shqetësim. Do fillojmë punën tonë. Pa dyshim kemi shumë më tepër arsye për të punuar fort në Tiranë.”
Në lidhje me spekulimet rreth Erjon Veliajt dhe akuzat e mundshme, ai është shprehur qartë: “Për këtë pyetje nuk kam asnjë informacion dhe nuk kam asnjë prononcim për këtë pyetje. Nuk ka asnjë.”
Duke iu referuar kontributit të partisë, Klosi ka thënë se fushata do të jetë “një promovim i asaj çfarë Partia Socialiste ka bërë në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë ku kontribut kemi dhënë të gjithë 104.000 anëtarët aktivë të kësaj partie”, ndërsa shtoi se “votimi i qytetarëve është ajo që tregon më shumë se çdo gjë tjetër” dhe se “fitorja në çdo garë elektorale është ajo që flet më shumë se çdo debat televiziv”.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.