E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Klosi sqaron vendimin e Asamblesë: Spiropali dhe Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të PS-së

Klosi sqaron vendimin e Asamblesë: Spiropali dhe Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të PS-së

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi reagoi sot në rrjetet sociale pas raportimeve në media se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk u përjashtuan nga partia, duke i cilësuar ato si lajm të rremë.

Klosi sqaroi se të dy nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të Partisë Socialiste, por nuk u votua për përjashtimin e tyre nga partia.

“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia”, shkruan Klosi.

Ai shpjegoi edhe arsyen pse çështja nuk u hodh në votim në Asamble.

“Fakti që nuk u votua në Asamble është shumë i thjeshtë. Tre shokë që ishin kundër parimisht për përjashtimin u shprehën lirisht dhe në mbyllje gjithçka ishte e qartë”, theksoi Klosi.

Klosi gjithashtu kritikoi pasqyrimin mediatik të çështjes, duke theksuar se, “ky është fakti, ndërsa të tjerat janë konsum mediash që mund ta mbulojnë diellin me shoshë vetëm që u bë natë”.

“Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj asambleje”, përfundoi Klosi.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment