KOMENT – SHBA-ja dhe Kina ulen për herë të parë në tryezën e negociatave tregtare, çfarë pritet mes dy fuqive botërore
– Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina zhvilluan sot takimin e parë zyrtar të Bordit të Tregtisë, një mekanizëm i krijuar për të trajtuar mosmarrëveshjet ekonomike dhe për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë, raportoi “Reuters”.
Takimi shënon një hap të ri në dialogun ekonomik mes Uashingtonit dhe Pekinit, në një periudhë kur të dyja palët synojnë të ruajnë armëpushimin tregtar dhe të zbatojnë angazhimet e marra në marrëveshjet e mëparshme.
Bordi i Tregtisë u krijua pas marrëveshjes së arritur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij kinez Xi Jinping, gjatë takimit të tyre në Pekin, në maj të këtij viti.
Sipas njoftimit të Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së, administrata amerikane synon të vijojë angazhimin me Kinën, për të vendosur marrëdhënie tregtare më të drejta dhe të balancuara mes dy vendeve.
Mekanizmi i ri parashikon takime të rregullta mes zyrtarëve të të dyja palëve, me synimin për të diskutuar pengesat tregtare, tarifat dhe mundësitë për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike.
Ulja e tarifave, në qendër të negociatave
Një nga çështjet kryesore të diskutimeve është ulja reciproke e tarifave për një grup mallrash me vlerë rreth 30 miliardë dollarë për secilën palë.
Sipas marrëveshjes së bërë publike nga autoritetet kineze, rreth 90% e produkteve të përfshira në këtë skemë, do të përfitojnë tarifa më të ulëta, në përputhje me normat e trajtimit të kombit më të favorizuar.
SHBA-ja pritet të ulë tarifat për disa produkte kineze, përfshirë lodrat, pajisjet elektroshtëpiake, artikujt për foshnjat dhe produktet për kuzhinë e banjë.
Nga ana tjetër, Kina do të ulë tarifat për produkte amerikane, përfshirë mallrat bujqësore, produktet e kujdesit personal, pajisjet mjekësore dhe qymyrin.
Zbatimi i këtyre lehtësimeve do të bëhet pasi të dyja vendet, të përfundojnë procedurat e nevojshme ligjore në nivel kombëtar.
Palët kanë rënë dakord gjithashtu të krijojnë një grup pune për bujqësinë, i cili do të trajtojë çështje që lidhen me aksesin e produkteve në tregjet respektive dhe rregullat e tregtisë.
Investimet dhe teknologjia, pjesë e dialogut
Përveç tregtisë së mallrave, SHBA-ja dhe Kina kanë rënë dakord të krijojnë edhe një Bord të Investimeve, që do të shërbejë si platformë për diskutimin e mundësive të reja të investimit dhe pengesave me të cilat përballen kompanitë e të dyja vendeve.
Një tjetër fushë ku dy fuqitë kanë nisur dialogun është inteligjenca artificiale.
Përfaqësuesit e tyre kanë zhvilluar diskutimet e para mbi përfitimet dhe rreziqet që lidhen me këtë teknologji, ndërsa kanë rënë dakord të krijojnë një kanal komunikimi për incidentet që lidhen me inteligjencën artificiale.
Këto diskutime synojnë të shmangin përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve, në një sektor që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të të dyja vendeve.
Armëpushimi tregtar deri në janar 2027
Takimi i ri zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të ruajtur armëpushimin tregtar mes dy vendeve, i cili është zgjatur deri më 10 janar 2027.
Marrëveshja u jep të dyja palëve më shumë kohë, për të vlerësuar zbatimin e angazhimeve të mëparshme dhe për të negociuar zgjidhje të mëtejshme.
Gjatë muajve të fundit, Uashingtoni dhe Pekini kanë zhvilluar disa raunde konsultimesh ekonomike dhe tregtare. Sipas Ministrisë kineze të Tregtisë, që nga viti i kaluar janë zhvilluar tetë raunde të tilla bisedimesh.
Përveç tarifave, mosmarrëveshjet mes dy vendeve përfshijnë edhe eksportet e mineraleve kritike, teknologjinë e përparuar, produktet bujqësore dhe aksesin në tregjet respektive.
Çfarë pritet nga negociatat?
Takimi i parë i Bordit të Tregtisë nuk nënkupton arritjen e një marrëveshjeje të re gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, por krijimin e një mekanizmi të qëndrueshëm për trajtimin e mosmarrëveshjeve.
Pritshmëritë lidhen kryesisht me zbatimin e uljes reciproke të tarifave, rritjen e shkëmbimeve tregtare, lehtësimin e investimeve dhe përmirësimin e komunikimit në sektorë strategjikë.
Për të dyja ekonomitë, ruajtja e një marrëdhënieje tregtare më të qëndrueshme ka rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh ndikimin e tyre në zinxhirët globalë të furnizimit, tregjet financiare dhe ekonominë ndërkombëtare. /