E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Komisioni për Buxhet miraton në parim projektbuxhetin 2027 prej 4.27 miliardë eurosh

Komisioni për Buxhet miraton në parim projektbuxhetin 2027 prej 4.27 miliardë eurosh

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e miratoi në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, siç njofton KosovaPress. Projektbuxheti prej 4.27 miliardë eurosh mori gjashtë vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim.

Pak më herët, ministri i Financave, Hekuran Murati, e kishte prezantuar projektbuxhetin para komisionit, në mbledhjen e parë të këtij komisioni për këtë çështje. Sipas raportimit të KosovaPress, Murati tha se buxheti parasheh rritje ekonomike prej 4.1 për qind, ndërsa për investime janë paraparë 1 miliard euro. “Sot, përpara jush, ka projektbuxhetin e vitit 2027, që besojmë se do të mundësojë vazhdimin e projekteve infrastrukturore dhe përkrahjen e komunave, familjeve dhe bizneseve”, tha Murati.

Deputetët e opozitës kritikuan mënyrën e planifikimit të buxhetit, duke thënë se mjetet e parapara nuk mund të shpenzohen. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se ka problem serioz me planifikimin e investimeve kapitale: “Kemi një problem serioz me planifikimin e investimeve kapitale, sepse kur e zbresim nëpër kode buxhetore shohim se ato nuk janë të zbatueshme. Keni një sasi të madhe të mjeteve që qëndrojnë të pashpenzuara, sepse projektet nuk janë të planifikuara mirë”, tha Hoti.

Hoti kritikoi Qeverinë edhe për rritjen e shpenzimeve rrjedhëse dhe të numrit të punonjësve në administratën publike, duke thënë se kjo rritje ndodh ndërkohë që nuk ka përparim në projektet zhvillimore. Anëtarët e komisionit shtruan pyetje për planifikimin buxhetor, realizimin e projekteve dhe shpërndarjen e mjeteve.

Në të njëjtën mbledhje, komisioni e miratoi edhe raportin vjetor financiar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2025, me katër vota pro, asnjë kundër dhe dy abstenime, njofton KosovaPress.

Lini një koment