Tuesday, 5 May 2026
54°F Detroit
BallinaKomunitetiKomuniteti katolik shqiptar në Michigan organizon mbrëmje festive për 115-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë

Komuniteti katolik shqiptar në Michigan organizon mbrëmje festive për 115-vjetorin e Kryengritjes së Malësisë

Komuniteti Katolik Shqiptar i Kishës së Shën Palit në Michigan ka njoftuar organizimin e një mbrëmjeje festive me rastin e 115-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare.

Aktiviteti do të zhvillohet të shtunën, më 11 prill 2026, në orën 7:00 të mbrëmjes, dhe pritet të mbledhë së bashku shqiptarë nga i gjithë Michigani në një atmosferë festive, patriotike dhe komunitare.

I ftuar special i mbrëmjes do të jetë Ambasadori Zef Mazi, i cili vjen enkas nga Vjena për të marrë pjesë në këtë përkujtim të rëndësishëm historik. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin edhe një program artistik me këngëtarin e njohur malësor Albert Abedini, i shoqëruar nga muzikanti Erind Emiri.

Mbrëmja do të shoqërohet me një darkë tradicionale shqiptare dhe pije të ndryshme, të përfshira në çmimin e biletës, duke ofruar një përvojë të plotë kulturore dhe shoqërore për të gjithë të pranishmit.

Çmimi i biletave është 100 dollarë për të rriturit dhe 50 dollarë për fëmijët nën 12 vjeç. Organizatorët kanë vënë në dispozicion disa kontakte për rezervime, përfshirë kryetarin e këshillit Gjergj Lajçaj, zyrën e famullisë, si dhe Edvin Hotin.

Në njoftimin e tyre, organizatorët theksojnë rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar në diasporë, duke kujtuar se “Kombi mbahet gjallë edhe këtu në diasporë, duke ruajtë gjuhën shqipe dhe duke përkujtu festat tona kombëtare.”

Ky aktivitet pritet të jetë jo vetëm një moment kujtese historike, por edhe një mundësi për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve në Michigan dhe ruajtjen e traditave kombëtare larg atdheut.

Lini një koment