Koncesioni i hemodializës, PD: Klientelist, duhet të marrë fund, të hetohet çdo hallkë
Partia Demokratike, përmes deputetit Bardh Spahia, e ka konsideruar koncesionin e Hemodializës një skemë klienteliste dhe korruptive. Në një deklaratë në selinë blu, Spahia i bëri apel sistemit të drejtësisë të nisë hetimet e menjëhershme.
“Ndonëse në procedurën morën pjesë disa operatorë, përzgjedhja e fituesit ende sot ngre pikëpyetje serioze. Kompania nuk dha ofertën më të ulët, përkundrazi, ajo ishte 11.1% më e lartë se oferta më e ulët. Megjithatë, ajo u shpall fituese.
Ku është drejtësia? Ky koncesion ka qenë prej vitesh objekt shqyrtimi dhe hetimi, por shqiptarët ende nuk kanë parë drejtësi për një skemë që ngre kaq shumë pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe t’u hapë rrugë institucioneve që të hetojnë pa pengesa korrupsionin e tij dhe t’u mundësojë qytetarëve shqiptarë që të kenë një sistem shëndetësor në shërbim të tyre dhe jo të një grushti të vogël përfituesish”, tha ai.