Wednesday, 1 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaKonferenca Ndërqeveritare në Bruksel, Gjermania dhe Holanda konfirmojnë mbështetjen për Shqipërinë

Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel, Gjermania dhe Holanda konfirmojnë mbështetjen për Shqipërinë

Përfaqësitë diplomatike të Gjermanisë dhe Holandës kanë reaguar me një mesazh të unifikuar lidhur me zhvillimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Përmes deklaratave zyrtare, ambasadori gjerman Karl Bergner dhe ai holandez Reinout Vos kanë vlerësuar arritjen e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin “Themelorët” (Fundamentals), duke paralajmëruar njëkohësisht se ritmi i anëtarësimit do të diktohet ekskluzivisht nga performanca e shtetit ligjor.

Të dy diplomatët vlerësuan angazhimin e administratës, politikës dhe drejtësisë shqiptare në përmbushjen e standardeve bazë, duke rikonfirmuar mbështetjen e Berlinit dhe Hagës për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen evropiane. Megjithatë, ata theksuan se miratimi i Raportit të Vlerësimit të Kushteve të Ndërmjetme (IBAR) nuk është një pikëmbërritje, por fillimi i një monitorimi.

”Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin ‘Fundamentals’ përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse,” deklaroi Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner.

Sipas përfaqësuesve evropianë, një demokraci pluraliste dhe mbrojtja e të drejtave themelore mbeten thelbi i vlerave evropiane që do të përcaktojnë shpejtësinë e integrimit të Tiranës zyrtare.

Në deklaratat e tyre, Gjermania dhe Holanda kanë vendosur theksin te vijimësia e goditjes së pandërprerë të pandëshkueshmërisë, duke i cilësuar rezultatet në këtë drejtim si parakushte absolute për mbylljen e bisedimeve. Një mesazh i drejtpërdrejtë u dha edhe për procedurat e trajtimit të imuniteteve politike nga ana e institucioneve shqiptare.

“Respekti për pavarësinë e gjyqësorit dhe përpjekjet e pakufizuara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, janë parakushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë në procesin e pranimit në BE. Kjo gjithashtu përfshin sigurimin që vendimet për heqjen e imunitetit të merren në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias,” nënvizoi Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Reinout Vos.

Lini një koment