E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Konferencë ndërkombëtare për historinë dhe trashëgiminë e vllehve në Ballkan

Konferencë ndërkombëtare për historinë dhe trashëgiminë e vllehve në Ballkan

Tiranë, 11 nëntor/ATSH/ Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Vllehtë e Shqipërisë në kontekstin ballkanik” përfundoi punimet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e studiuesve nga vendi dhe institucione të ndryshme shkencore e universitare ndërkombëtare.

Konferenca trajtoi historinë, gjuhën, identitetin dhe trashëgiminë kulturore të komunitetit vlleh, duke e vendosur atë në kontekstin më të gjerë të marrëdhënieve historike dhe kulturore në Ballkan.

Gjatë ditës së dytë, diskutimet u përqendruan te gjuha vllehe, kontaktet ndërgjuhësore, proceset e standardizimit, kujtesa kolektive, lëvizshmëria dhe trashëgimia arkitekturore, arkeologjike e muzikore. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Voskopojës si një prej qendrave më të rëndësishme qytetare dhe kulturore të shekullit XVIII.

Në përfundim, akademik Pëllumb Xhufi, duke paraqitur konkluzionet e konferencës, vlerësoi se komuniteti vllah përbën një vlerë të patjetërsueshme të historisë dhe bashkëjetesës në Shqipëri, me një kontribut të rëndësishëm kulturor dhe shoqëror në Ballkan.

Veprimtaria synoi të kontribuojë në njohjen dhe dokumentimin e mëtejshëm të historisë, gjuhës dhe trashëgimisë së vllehve, si pjesë e pasurisë kulturore të Shqipërisë dhe hapësirës ballkanike.

Lini një koment