KONGO – Të paktën 1 405 vdekje të konfirmuara nga Ebola
NAIROBI, 27 korrik /ATSH-DPA/- Shpërthimi i Ebolas në Republikën Demokratike të Kongos vazhdon të përhapet, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 1 405, që nga fundi i muajit prill, sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet shëndetësore të vendit.
Autoritetet njoftuan se numri i rasteve të konfirmuara në laborator ka arritur në 3 200.
Shkalla e vdekshmërisë është aktualisht 43,9%, që do të thotë se pothuajse gjysma e personave të infektuar kanë humbur jetën.
Megjithatë, ekspertët besojnë se numri real i të infektuarve është shumë më i lartë, pasi shumë raste mund të mos jenë zbuluar ose raportuar.
Sipas autoriteteve, virusi ka qarkulluar për javë të tëra, pa u vënë re në lindje të Kongos në fillim të këtij viti. Përpjekjet për të frenuar përhapjen janë vështirësuar nga konfliktet me grupet e armatosura dhe mosbesimi i popullsisë ndaj punonjësve të ndihmës humanitare.
Deri tani, raste me Ebola janë regjistruar në pesë nga 26 provincat e vendit, ndërsa provinca Ituri, në verilindje, është identifikuar si epiqendra e shpërthimit.
Ituri kufizohet me Ugandën dhe Sudanin e Jugut. Edhe Uganda ka raportuar raste të Ebolas, përfshirë të paktën dy viktima.
Ebola është një sëmundje kërcënuese për jetën, që transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me personat e infektuar, veçanërisht me lëngjet trupore.
Ky shpërthim është veçanërisht i vështirë për t’u kontrolluar, pasi për variantin “Bundibugyo” të virusit nuk ekziston ende një vaksinë e miratuar apo një trajtim specifik.
Në fillim të korrikut nisën provat klinike për dy trajtime antivirale eksperimentale.
Me numrin aktual të viktimave, ky është tashmë shpërthimi i tretë më vdekjeprurës i Ebolas në histori.
Epidemia në Afrikën Perëndimore gjatë viteve 2014–2015 shkaktoi mbi 11 000 viktima, ndërsa shpërthimi në lindje të Kongos në periudhën 2018–2020 shkaktoi rreth 2 300 vdekje. /