E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KORSIKË – Pavarësisht tensioneve, nacionalistët të gatshëm për dialog me qeverinë

KORSIKË – Pavarësisht tensioneve, nacionalistët të gatshëm për dialog me qeverinë

PARIS, 5 nëntor /ATSH-DPA/ – Pavarësisht pakënaqësive të konsiderueshme, nacionalistët në ishullin francez të Korsikës janë shprehur të gatshëm të zhvillojnë bisedime të reja me qeverinë franceze për zgjerimin e autonomisë, bëhet e ditur në një rezolutë të miratuar sot nga parlamenti dhe këshilli ekzekutiv i ishullit.

Në rezolutë, të dy institucionet i kanë kërkuar qeverisë franceze të organizojë sa më shpejt një takim të nivelit të lartë.

Më herët, Senati francez kishte ndryshuar ndjeshëm dhe më pas kishte rrëzuar një tekst të negociuar me vështirësi për një amendament kushtetues, i cili synonte t’i jepte ishullit më shumë autonomi.

Ky vendim ka shkaktuar pakënaqësi te nacionalistët korsikanë.

Pas trazirave të dhunshme në ishull, më shumë se tre vjet më parë, presidenti francez Emmanuel Macron kishte premtuar mundësinë e zgjerimit të autonomisë për Korsikën. Plani duhej të ishte zbatuar prej kohësh, por aktualisht mbetet e paqartë nëse do të realizohet.

Pas negociatave të gjata, qeveria në Paris dhe përfaqësuesit korsikanë kishin rënë dakord për një reformë që do t’u lejonte institucioneve të ishullit të përshtatnin ligjet e miratuara në Paris sipas nevojave lokale.

Gjithashtu, ato do të kishin të drejtë të përcaktonin rregullat dhe standardet e tyre.

Reforma parashikonte edhe njohjen e Korsikës si një bashkësi historike, kulturore dhe gjuhësore, me lidhje të veçantë me territorin e saj.

Pasi mori miratimin e Asamblesë Kombëtare, plani u rrëzua nga Senati.

Ministrja për Decentralizimin, Francoise Gatel, e cilësoi këtë zhvillim si një incident serioz. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment