Friday, 17 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaKosova mbledh Kuvendin në gusht, Albulena Haxhiu fton AAK për negociata mbi presidentin

Kosova mbledh Kuvendin në gusht, Albulena Haxhiu fton AAK për negociata mbi presidentin

Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet në fillim të gushtit. Ushtruesja e detyrës së kreut të shtetit, Albulena Haxhiu, bëri të premten me dije se javën e ardhshme do të njoftojë ditën dhe orën e saktë.

“Duke pasur parasysh që në momentin kur Kuvendi i Republikës së Kosovës konstituohet, e duke i pasur parasysh numrat në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ai do të konstituohet, pra nuk do ta kemi problemin e fillimit të vitit apo të prillit të vitit të kaluar. Duke qenë që pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kohore për zgjedhjen e presidentit, pra janë 60 ditë pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kam vlerësuar që t’u jap partive politike kohën në dispozicion në mënyrë që të mbërrijnë te një marrëveshje, që sapo pastaj të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, të mos ketë nevojë që të presim 60 ditë për të zgjedhur presidentin, ose të mos vijmë në një situatë që nuk besoj se dikush e do, që të mos ta zgjedhim presidentin dhe të shkojmë edhe një herë në zgjedhje të jashtëzakonshme,” tha Haxhiu.

Pezullimin nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për presidentin e ri, Haxhiu e cilësoi një zhvillim aspak pozitiv, ndërsa kërkoi bashkëpunim ndërpartiak për atë çështje.

“Prandaj, si ushtruese e detyrës së presidentes, unë i kam mirëpritur takimet e zhvilluara me ftesë të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, zotërit Albin Kurti. E kam vlerësuar pozitivisht qasjen e LDK-së dhe PDK-së, pra që kanë pranuar të vazhdojnë këto takime. Nuk më duket mirë që tashmë LDK-ja ka pezulluar, si me thënë, takimet për të arritur një marrëveshje. Ftoj edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës që t’i përgjigjet pozitivisht ftesave për takime, sepse nuk mund të kemi marrëveshje pa pasur takime. Prandaj, qasja serioze, konstruktiviteti në këto diskutime sjell te një marrëveshje,” tha ajo.

Ndërkohë, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, paralajmëroi se ngërçi politik po dëmton pozitën e Kosovës në raport me SHBA-në, BE-në dhe partnerët e tjerë, gjë që u dëshmua edhe nga pezullimi i dialogut strategjik me Uashingtonin.

“Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me kërcënimin e zgjedhjeve të reja,” theksoi Hovenier në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të krijojnë qeverinë e re, të zgjedhin presidentin dhe t’u ofrojnë SHBA-së dhe partnerëve të tjerë një bashkëbisedues të besueshëm dhe legjitim.

Ai theksoi se vëmendja e Uashingtonit “nuk është e pafundme”. “Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi,” tha Hovenier.

I pyetur se kush e mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual, ai u shpreh: “Është e vështirë për mua të them se kush mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual. Ajo që do të theksoja është se sa i dëmshëm është ky ngërç për qytetarët e Kosovës. Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me kërcënimin e zgjedhjeve të reja. Prandaj, mendoj se ka shumë përgjegjësi për situatën aktuale.

Po të isha ende ambasador i SHBA-së në Kosovë, do të bëja gjithçka për t’i inkurajuar të gjithë liderët politikë – qoftë nga Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK apo partitë e tjera – që të gjenin një rrugëdalje, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve. Ata duhet të krijojnë një qeveri të re, të zgjedhin presidentin dhe t’u ofrojnë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë një bashkëbisedues të besueshëm dhe legjitim.”

Lini një koment