E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaKosovë/ Pas ndërprerjes së energjisë, 18 minatorë mbeten të bllokuar në minierën e Trepçës

Kosovë/ Pas ndërprerjes së energjisë, 18 minatorë mbeten të bllokuar në minierën e Trepçës

Rreth 18 minatorë kanë mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës në Kosovë, si pasojë e një ndërprerjeje të furnizimit me energji elektrike që ka paralizuar punën në thellësi të minierës.

Sipas njoftimit zyrtar të ndërmarrjes “Trepça Sh.A.”, fillimisht në momentin e incidentit në minierë kanë qenë të angazhuar gjithsej 47 punëtorë, të cilët kishin hyrë në punë më 13 maj 2026 në orën 23:00. Prej tyre, 29 punëtorë kanë arritur të dalin në mënyrë të sigurt, ndërsa 18 të tjerë kanë mbetur të bllokuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Ndërprerja e furnizimit ka ndodhur rreth orës 01:30 të datës 14.05.2026, si pasojë e një defekti në linjën 35 kV. Sipas sqarimeve nga terreni, një përcjellës i linjës është shkëputur, duke dëmtuar izolatorët dhe shkaktuar djegie dhe gjithashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet përcjellëse të trafostacionit.

Autoritetet e ndërmarrjes bëjnë të ditur se të gjithë punëtorët janë në gjendje të sigurt dhe se ekipet teknike së bashku me skuadrat e shpëtimit janë mobilizuar menjëherë në terren për rikthimin e furnizimit me energji.

Sipas Trepçës, pjesa e mbetur e minatorëve pritet të evakuohet në mënyrë të sigurt brenda një afati kohor prej rreth dy orësh, ndërsa situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm.

Lini një koment