Kosto të larta dhe çmime të ulëta, si po mbetet stok vaji i ullirit
Vaji i ullirit rrezikon të mbetet stok i pashitur në shtëpitë e fermerëve, për shkak të mungesës së tregut. Grumbullimi dhe eksportet janë pothuajse të bllokuara, pasi çmimi i ofruar prej 300–350 lekësh për litër është nën koston e prodhimit. Fermerët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë për grumbullimin e vajit, ndërsa KASH propozon ngritjen e njësive të përbashkëta të shërbimit për uljen e kostove
Dorina Azo
Agron Qypi, fermer në zonën e Belshit, zotëron rreth 400 rrënjë ullinj. Ai thotë se këtë vit, prodhimi është rritur ndjeshëm, për shkak të ciklit periodik të prodhimit të ullirit dhe shtimit të shërbimeve.
Nga rreth 17 kg ullinj për rrënjë që mori sezonin e kaluar, këtë vit po merr afërsisht 30 kg. Sipas fermerëve të kësaj zone, rritja e prodhimit këtë sezon lidhet kryesisht me rendimentin më të lartë të ullinjve mbi 10 vjeç, të cilët kanë hyrë në një fazë më produktive të ciklit të tyre.
Por për Agron Qypin, shtimi i prodhimit nuk është përkthyer në më shumë të ardhura. Ai thotë se mungon tregu i shitjes së vajit të ullirit. Fermerët kërkojnë ta shesin vajin me rreth 500 lekë për litër, por edhe ky çmim, sipas tyre, nuk i mbulon koston e prodhimit.
Një nga shpenzimet më të rëndësishme edhe për këtë sezon është vjelja. Punëtorët që angazhohen për mbledhjen e ullinjve paguhen nga 3,500 deri në 4,500 apo 5,000 lekë në ditë.
Kjo kosto rëndon veçanërisht mbi fermerët që kanë sipërfaqe të mëdha dhe duhet të angazhojnë më shumë punëtorë për të përfunduar vjeljen në kohë. Krahas pagesës së punëtorëve, prodhuesit duhet të përballojnë edhe shpenzimet për shërbimet në ullishte, duke rritur më tej koston përfundimtare.
“Edhe çmimi i kërkuar prej 500 lekësh për litër nuk arrin të na i mbulojë kostot e shpenzimeve, që nga pagesat e vjelësve dhe për shërbimet, si krasitje, spërkatje etj. Nuk është një çmim që na siguron fitim, por arrijmë të përballojmë një pjesë të shpenzimeve.
Vaji i ullirit duhet të tregtohet me çmim mbi 600 lekë për litër që të mbulojë shpenzimet dhe të garantojë fitim. Nëse çmimi i kërkuar zbret më tej, i gjithë prodhimi i vajit të ullirit do të kthehet mbrapsht në shtëpi”.
Situata është e ngjashme edhe për fermerë të tjerë të zonës. Bashkim Zenaj thotë se çmimi i kërkuar nga grumbulluesit është nën koston e prodhimit. “Këtë vit, prodhimi i vajit të ullirit është i mbarë, por mungon tregu i shitjes.
Vaji po kërkohet me çmim 350 lekë për litër, dhe pritet të bjerë edhe më shumë.
Çmimi i kërkuar është i paleverdishëm. Jemi të detyruar ta mbajmë vajin në shtëpi stok”, pohon ai.
Problemi nuk është vetëm te çmimi që kërkojnë fermerët, por edhe te mungesa e kërkesës nga grumbulluesit. Përpunuesit dhe grumbulluesit që blejnë vajin me qëllim eksporti, pohojnë se çmimi është ulur me 100–200 lekë për litër krahasuar me një vit më parë. Vjet çmimi i grumbullimit të vajit mesatarisht varionte nga 600 deri në 620 lekë për litër.
Ndërkohë, në tregun e eksportit, grosistët italianë po kërkojnë vaj ulliri rifuxho me çmime 3.2–3.4 euro për litër.
Aldo Jolla, përpunues dhe grumbullues, thotë se situata me eksportin ka ndikuar drejtpërdrejt në grumbullimin e vajit në vend. Sipas tij, për shkak të bllokimit të eksportit, aktualisht nuk po grumbullohet asnjë litër vaj.
Mungesa e një kanali të qëndrueshëm shitjeje po ndikon në të gjithë zinxhirin, nga fermeri që prodhon ullirin deri te përpunuesi që duhet të blejë dhe të magazinojë vajin.
Kur grumbulluesit nuk kanë mundësi të shesin jashtë vendit, ata bëhen më të kujdesshëm në blerjet nga fermerët. Kjo ul kërkesën për vajin vendas dhe krijon presion mbi çmimin. Në këtë mënyrë, mungesa e çmimit për eksport, po transmetohet te fermerët, të cilëve po ju mbetet vaji stok i pashitur në shtëpi.
“Deri tani nuk kemi grumbulluar asnjë litër vaj ulliri nga fermerët. Nuk na mungojnë kapacitet grumbulluese, por problem është çmimi i kërkuar. Grosistët italianë po e kërkojnë për eksport vajin e ullirit me çmimin e bursës që aktualisht arrin deri në 3,5 euro për litër.
Për fermerët, çmimi i kërkuar është i paleverdishëm, pasi nuk arrin të mbulojë kostot e larta të prodhimit, sidomos pagesat e vjelësve që nga 3,500 lekë vitin e kaluar, sivjet kanë arritur deri në 5,000 lekë në ditë.
Kostoja e lartë e prodhimit rrezikon që ullishtat brenda një periudhe të shkurtër të braktisen. Fermerët të mos kryejnë shërbime ndaj tyre”, pohoi për “Monitor”, Aldo Jolla, përpunues dhe grumbullues i vajit të ullirit në zonën e Belshit.
Për fermerët, kjo është pjesa më problematike e sezonit. Në zonën e Belshit, deri tani është vjelë gati 20% e ullinjve. Shumë prej tyre po hezitojnë të vjelin pjesën e mbetur.
Një pjesë e tyre po detyrohet ta mbajë vajin në shtëpi, në pritje të përmirësimit të çmimit ose të rikthimit të blerësve. Fermerët kërkojnë që shteti të ndërhyjë për të mbështetur grumbullimin e vajit deri në stabilizimin e tregut, në mënyrë që prodhimi të mos mbetet i pashitur dhe kostot të mos rëndojnë tërësisht mbi ta.
“Në shtëpi kam ende të pashitur nga prodhimi i vjetshëm, vaj ulliri në vlerën e 100 mijë lekëve. Nuk di se çfarë do të bëj me prodhimin e ri të vajit të ullirit. Do ta hedh në kanal sepse nuk kam ku ta tregtoj me këtë çmim. Shteti duhet të na ndihmojë me grumbullimin e vajit deri sa çmimi të stabilizohet, ashtu siç po ndodh edhe në vende të tjera të Europës”, pohon Alket Peqini, fermer i zonës.
Paralajmërimi për braktisjen e ullishtave deri në prerjen e drurëve për shkak të mungesës së tregut për shitjen e vajit të ullirit erdhi edhe prej industrialistëve të shoqatës “Albanian Food Industry” (AFI).
Nëpërmjet një deklarate për median, ata ngritën alarmin se rënia drastike e çmimit të vajit të ullirit, do të sjellë shumë shpejt braktisjen masive të ullishtave nga fermerët, deri në paralajmërimet për prerjen e druve të ullirit.
Nisur nga situata, AFI propozoi ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Financave, për vlerësimin e situatës dhe marrjen e shtatë masave urgjente.
Ndër propozimet e menjëhershme që u kërkuan të ndërmerren ishte ngritja e një fondi të menjëhershëm për kryerjen falas të analizave të certifikimit të cilësisë së vajit për fermerët dhe ndalimin e importeve.
Emergjenca për veprime nga AFI u argumentua edhe nga fakti se dy muajt e ardhshëm janë muajt në të cilët fermerët kryejnë shërbime ndaj kulturës së ullirit.
“Heqja dorë nga shërbimet gjatë këtyre dy muajve do të sjellë një rezultat edhe më të keq vitin tjetër si për fermerët, për fabrikat, për ekonominë në tërësi dhe për konsumatorin, i cili me siguri do të ballafaqohet pastaj me çmimet monopol të importit për vajin e ullirit”, paralajmëruan industrialistët.
Burimi: Ministria e Bujqësisë
Shteti nuk mund të grumbullojë vajin e ullirit si në Spanjë, pengesë garantimi i cilësisë
Për shkak të luhatjeve të larta të çmimeve të vajit të ullirit në disa vende europiane, vaji i ullirit po grumbullohet nga shteti deri në stabilizimin e çmimit.
Në Spanjë dhe Greqi, kooperativat dhe organizatat e prodhuesve mundësojnë grumbullimin dhe magazinimin e vajit në depozita të specializuara, duke shmangur shitjen e menjëhershme nga fermerët në momentet kur çmimet janë të ulëta. Kjo u jep prodhuesve mundësi të bashkojnë sasitë, të negociojnë kushte më të favorshme dhe të planifikojnë shitjen në varësi të ecurisë së tregut.
Por zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, deklaroi se shteti shqiptar nuk mund të ndjekë modelin e Spanjës, ku një sasi e konsiderueshme e vajit të ullirit grumbullohet dhe mbahet deri në stabilizimin e çmimeve.
“Ne nuk mund të veprojmë si në Spanjë, ku një sasi e lartë e vajit grumbullohet deri në stabilizimin e çmimit.
Kjo është e pamundur për shkak të garantimit të cilësisë, sipas standardeve”, u shpreh z. Guri. Deklarata u bë gjatë punimeve të Forumit të Katërt Kombëtar për Cilësinë dhe Standardet, ku zv.ministri foli për sfidat e përafrimit të bujqësisë shqiptare me kërkesat e Bashkimit Europian.
Sipas tij, konkurrueshmëria e produkteve shqiptare nuk mund të mbështetet vetëm te ndërhyrjet në treg, por kërkon krijimin e vlerës së shtuar dhe përmirësimin e standardeve të prodhimit.
“Ne do të jemi eficientë vetëm duke krijuar vlerë të shtuar për produktin”, theksoi z. Guri. Ai bëri të ditur se Shqipëria do të vijojë harmonizimin e legjislacionit kombëtar me rregulloret europiane për produktet e cilësisë, me synimin që vlera e shtuar që vjen nga territore me karakteristika të veçanta prodhimi të njihet dhe të mbrohet edhe në treg.
Burimi: INSTAT
Kostot e larta, si mund të ulen? KASH propozon njësi të përbashkëta shërbimi
Prodhimi i lartë i ullirit këtë vit rrezikon të kthehet në një bumerang për fermerët, nëse nuk zgjidhet problemi i kostove të larta të prodhimit.
Një situatë e ngjashme u krijua edhe në vitin 2022, kur fabrikat e përpunimit nisën ta blinin vajin nga fermerët me 400–420 lekë për litër, ndërsa këta të fundit e konsideronin çmimin të pamjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet e prodhimit.
Në të njëjtën kohë, kostot e përpunimit, taksave dhe ambalazhimit e çonin çmimin e vajit ekstra të virgjër deri në 800 lekë për litër në shitje nga përpunuesit.
Kjo diferencë mes çmimit të shitjes së fermerit dhe çmimit të lartë që paguan konsumatori vazhdon të jetë e dukshme edhe sot.
Më herët, Ylli Hajdini, administrator i kompanisë “S.E.D-Borshi”, pohoi për “Monitor” se kur fermerët e shesin vajin te fabrikat me 400–420 lekë për litër, kostot administrative të përpunuesit, ku përfshihen detyrimet fiskale, pagat, energjia dhe karburantet, shtojnë rreth 360 lekë për litër.
Kësaj i shtohen edhe 75–110 lekë për litër për ambalazhimin, përfshirë shishet e qelqit, tapat dhe etiketat, si dhe rreth 160 lekë TVSH në shitje. Sipas përllogaritjeve të tij, kostoja e vajit të përpunuar arrin rreth 760 lekë për litër. Përpunuesit e shesin atë në supermarkete me 800–820 lekë, ndërsa pas marzhit të tregtimit, çmimi për konsumatorin arrin në 980–1,000 lekë për litër.
Çmimi në tregun vendas mbetet i lartë edhe në raport me tregjet europiane. Në supermarketet shqiptare, vaji ekstra i virgjër arrin deri në 1,000 lekë për litër, ndërsa në Itali tregtohet me çmime deri në 7,5 euro për litër.
Për Agim Rrapajn, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH), një nga mënyrat për të ulur kostot është ndryshimi i organizimit të punës në ullishte. Sipas tij, nuk është ekonomikisht e përballueshme që secila familje të investojë më vete në mekanikë bujqësore dhe të mbulojë të gjitha shërbimet e nevojshme për pemët.
Z. Rrapaj propozon ngritjen e njësive të specializuara që do të ofrojnë shërbime për fermerët, duke nisur nga krasitja, spërkatja dhe mirëmbajtja e ullishtave deri te vjelja.
“Shuma e parave që duhen shpenzuar për blerjen e mekanikës bujqësore, për punëtorët, për krasitjen dhe shërbimet që u duhen ullinjve nuk mund të përballohet nga 112 mijë familje që kanë ullinj, nëse do të kërkojmë që secila t’i kryejë këto punë veçmas”, shprehet z. Rrapaj.
Sipas këtij modeli, organizimi i shërbimeve në mënyrë të përbashkët do të shmangte përsëritjen e investimeve nga çdo familje, do të rriste përdorimin e mekanikës bujqësore dhe do të ndihmonte në uljen e kostos për njësi prodhimi.
Ai rekomandon që këto njësi të ngrihen në partneritet me operatorët privatë, me mbështetjen e subvencioneve shtetërore. Sipas tij, nisma fillimisht ishte parashikuar të zbatohej në zonën e Vlorës, por kostot e larta e bënë të paleverdishëm përfshirjen e fermerëve në këto struktura.
Qëllimi ishte krijimi i njësive që do të unifikonin shërbimet për fermerët, organizimin e vjeljes dhe tregtimin e vajit të ullirit në rang kombëtar.
“Nëse ky model, i ngjashëm me atë që zbatohet në vendet europiane, do të vihet në zbatim, do të mundësojë uljen e kostove të prodhimit dhe përmirësimin e standardeve për garantimin e cilësisë së vajit të ullirit. Aktualisht, kërkohet që vaji i ullirit të grumbullohet me një çmim nën koston e prodhimit.
Madje, rrezikojmë të mos ketë fare grumbullim, pasi çmimi aktual është i paleverdishëm për fermerët. Megjithatë, situata pritet të përmirësohet në muajin prill, me nisjen e kontratave të reja”, pohoi z. Rrapaj.
Burimi: INSTAT
Prodhimi i ullirit në nivele të larta, por pa garanci për shitjen
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2025 u prodhua një sasi prej 32,3 mijë tonësh vaj ulliri. Krahasuar me vitin paraardhës, sasia e vajit të ullirit ra me 9.2%.
Në vitin 2025, rënie është shënuar edhe te prodhimi i ullinjve. Prodhimi arriti në 143,3 mijë tonë ullinj. Krahasuar me 2024-n, prodhimi i ullinjve ra me 2.2%. Ndërsa rendimenti nga 15.2 kg për rrënjë ra në 14.4 kg për rrënjë.
Në gati tri dekada, sasia më e lartë e prodhimit të ullinjve u arrit në vitin 2022, me një sasi prej 157,7 mijë ton ullinj apo 43% shumë se viti paraardhës. Rendimenti i prodhimit ishte 17.2 kg/rrënjë apo 4.7 kg për rrënjë më shumë sesa në vitin 2021.
Përveç vitit 2022, sasia e lartë e prodhimit të ullinjve është arritur edhe në 2012, sidomos pas masave për subvencione të marra nga qeveria nga viti 2009 deri në vitin 2013. Në vitin 2012 u prodhuan 108 mijë tonë ullinj, me rritje 65% krahasuar me 2011.
Në vitin 2023, sasia e prodhuar e ullinjve arriti në 117,6 tonë ullinj. Krahasuar me vitin 2022, prodhimi i ullinjve ra me 25%.
Edhe rendimenti për rrënjë ka shënuar luhatje. Në vitin 2022, rendimenti arriti në 17.2 kg për rrënjë, ndërsa në vitin 2023 ra në 12.4 kg. Në vitin 2024 u rrit në 15.2 kg, për të zbritur në 14.4 kg në vitin 2025.
Këto të dhëna tregojnë se prodhimi i ullirit ndikohet nga kushtet klimatike dhe cikli biologjik i pemës, por edhe nga kujdesi dhe shërbimet që kryhen në ullishte.
Burimi: Doganat
Eksportet e vajit ranë me 62% në vitin 2025
Të dhënat tregojnë tkurrje të ndjeshme të tregtisë së jashtme të vajit të ullirit. Një nga problemet që po rëndon mbi tregun vendas është ulja e eksporteve.
Sipas të dhënave të Doganave, për vitin 2025, u eksportua rreth 891 tonë vaj ulliri, nga 2,339 tonë në vitin 2024. Në sasi, eksportet ranë me rreth 62%. Edhe vlera e tyre u tkurr ndjeshëm, nga rreth 1.65 miliardë lekë në vitin 2024, në 492.4 milionë lekë në vitin 2025, ose rreth 70%.
Sasia më e lartë e eksportit të vajit të ullirit u arrit në vitin 2023, pas mbiprodhimit të vitit 2022. Në vitin 2023, eksportet arritën në sasinë 6,150 tonë. Krahasuar me vitin paraardhës, eksportet u rritën rreth 20 herë më shumë. Pas vitit 2023, eksportet nisën rënien.
Në vitin 2024, eksportet krahasuar me vitin paraardhës ranë me 62%.
Në të njëjtën periudhë, edhe importet e vajit të ullirit u ulën. Nga 419 tonë në vitin 2024, ato zbritën në rreth 225 tonë në vitin 2025, me rënie prej 46.3%.
Shtohen subjektet në sektor, por problemi i tregut mbetet
Pavarësisht vështirësive të shitjes, numri i subjekteve që operojnë në sektorin e ullirit dhe vajit të ullirit është rritur.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2024 ishin 220 subjekte, ndërsa në vitin 2025, numri arriti në 258. Nga këto, 108 subjekte operojnë në prodhimin, përpunimin dhe ambalazhimin e vajit, 147 janë mulli ose subjekte të tregtimit të vajit rifuxho dhe 3 janë subjekte ambalazhimi.
Numri më i lartë i subjekteve që operojnë me ullirin dhe vajin e ullirit është në Berat dhe Fier, me nga 65 subjekte secili, të ndjekur nga Elbasani me 59 dhe Vlora me 44.