Kroacia gati të shtojë forcat në Kosovë, NATO rishikon numrin e trupave të KFOR-it
Përgatitjet për samitin e NATO-s që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara të Turqisë kanë hyrë në fazën përfundimtare, pas takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare në selinë e Aleancës në Bruksel.
Samiti pritet të jetë një tjetër përballje mes kërkesave të SHBA-së dhe angazhimeve të aleatëve evropianë, veçanërisht për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake të Evropës.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, ka bërë të ditur se Kroacia është e gatshme të rrisë numrin e ushtarëve në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kjo vjen pasi komandanti suprem i NATO-s për Evropën (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus G. Grynkewich, njoftoi se po shqyrtohet ulja e numrit të trupave të KFOR-it, shkruan vecernji.hr.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se kontingjenti në Kosovë mund të reduktohet nga rreth 4700 ushtarë aktualisht në rreth 3000–3500, nivel i ngjashëm me periudhën para vitit 2023.
Ndërkohë, ministri amerikan i Luftës, Pete Hegseth, u ka bërë thirrje aleatëve evropianë që të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.
“Pritet që aleatët të angazhohen dhe të bëjnë pjesën e tyre”, deklaroi Hegseth, duke paralajmëruar se SHBA do të vëzhgojë nga afër vendet që nuk kontribuojnë mjaftueshëm në përpjekjet e përbashkëta të NATO-s.
Ai tha gjithashtu se disa aleatë do të dështojnë në këtë “test të ri amerikan”, ndërsa të tjerë do ta kalojnë me sukses, duke theksuar se Uashingtoni pret një rol më të madh nga partnerët evropianë në mbrojtjen e përbashkët. /Telegrafi/