Kryeministri Rama: Regjistri Kombëtar i Diasporës, një sportel unik për shqiptarët jashtë atdheut
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit të zhvilluar ditën e sotme me shqiptarët në Michigan, foli për rëndësinë e krijimit të Regjistrit Kombëtar të Diasporës, si një mekanizëm i ri që do të afrojë emigrantët me institucionet shqiptare.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se pas Samitit të katërt të Diasporës është nisur zbatimi i Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2030, e cila synon të materializohet hap pas hapi.
Ai e përshkroi Shqipërinë si një “kantier në transformim”, ku procesi shoqërohet me vështirësi, vonesa dhe gabime, por ku rëndësi ka fakti që puna vazhdon dhe ndryshimi po merr formë.
Diaspora, sipas tij, është një supervizor i këtij kantieri, sepse nga distanca ka mundësinë të shohë më qartë ndryshimet dhe të japë kontributin e vet.
“Pas Samitit të katërt të Diasporës që ne bëmë në prill, kemi nisur të vendosim në zbatim Strategjinë Kombëtare të Diasporës 2030, e cila është tanimë e përvijuar dhe që na mbetet hap pas hapi ta materializojmë, duke bërë të mundur që diaspora të ndihet më afër, jo thjesht emocionalisht, por konkretisht. Shqipëria ka nevojë të dijë më shumë për shqiptarët jashtë atdheut, dhe shqiptarët jashtë atdheut kanë nevojë të kenë më shumë akses në Shqipëri. Për këtë arsye ne po krijojmë Regjistrin Kombëtar të Diasporës, që është një sportel unik ku çdo shqiptar i botës ta gjejë shtetin e vet me një ‘click’: rrjetin profesional, dritaret e posaçme për investitorët e diasporës. Të gjitha këto janë një kantier në punët e sipërme. Sikurse është vetë Shqipëria një kantier në transformim, dhe si çdo kantier ka zhurmë, ka pluhur, ka bezdi, ka vonesa. Ka dhe gabime që duhet korrigjuar, por ajo që ka rëndësi është që kantieri është në punë dhe puna vazhdon.”
Rama theksoi se diaspora është një pjesë e gjallë e Shqipërisë, jo vetëm përmes lidhjeve emocionale, por edhe përmes kontributit konkret ekonomik e shoqëror.
Ai u ndal te dërgesat e emigrantëve, duke nënvizuar se shumica e familjeve shqiptare kanë përfituar të paktën një herë nga ndihma financiare e të afërmve jashtë vendit.
“Ka një shifër që është reale: 90 për qind e familjeve kanë përfituar të paktën një herë nga dërgesat e diasporës. Të paktën një herë kanë dërguar një pjesë të mundit të tyre në Shqipëri. Në samitin e parë ne thamë se donim diçka tjetër dhe donim të shkonim përtej marrëdhënies së nostalgjisë, kujtimeve, dashurisë dhe lidhjeve të pandashme familjare, sepse diaspora nuk është një llogari bankare e atdheut, por është përvojë, është rrjet zemrash dhe mendjesh, qytetari dhe fuqi e madhe.”
Kryeministri shtoi se gjatë dekadës së fundit janë krijuar mekanizma të rinj për lidhjen e diasporës me institucionet shqiptare, të cilët kanë nevojë të forcohen dhe përsosen. Ai përmendi platformën e-Albania, që u ka dhënë mundësi shqiptarëve jashtë vendit të aksesojnë shërbimet publike pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt Shqipërisë.
“Sot, pas këtyre 10 vjetëve, vij këtu me bindjen që çfarë kemi nisur ka dhënë frytet dhe ka krijuar premisa për më shumë.”