Kryeplaku i Gështenjasit për elektriçistin që humbi jetën: Erdhi në ditë pushimi për të rregulluar defektin, ishte punëtor
Kryeplaku i fshatit Gështenjas të Pogradecit ka folur për ngjarjen e rëndë ku humbi jetën në krye të detyrës elektriçisti Agim Beqiri.
Ai tha se 60-vjeçari ishte njoftuar mbrëmjen e së shtunës për defektin. Pasi kishte mbërritur mbrëmë dhe kishte konstatuar problemin, Beqiri e kishte lënë që të kthehej për ta riparuar këtë të dielë, sapo të zbardhte dita, edhe pse ishte ditë pushimi.
Sipas kryeplakut, elektriçisti ishte një person i respektuar në komunitet, i njohur për korrektësinë dhe përkushtimin në punë.
“Ishte burrë i mirë, i rregullt dhe i sinqertë. Pasi e konstatoi mbrëmë defektin, erdhi sot për ta rregulluar, edhe pse në ditë pushimi. Ishte njeri shumë punëtor dhe i komunikueshëm. Na erdhi shumë keq, ngushëllime familjes”, tha kryeplaku i fshatit Gështenjas.