Ksamil, futi Jet Ski-n në zonën e pushuesve, gjobitet me 500 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti
Drejtuesi i një mjeti lundrues Jet Ski është ndëshkuar me 500 mijë lekë të rinj gjobë dhe i është bllokuar mjeti, pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë në plazhin e Ksamilit.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare vijojnë kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare, me fokus garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë një patrullimi në plazhin e Ksamilit, efektivët konstatuan një Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar pushuesit që ndodheshin në zonën e plazhit.
Në përfundim të veprimeve administrative, drejtuesi i mjetit, shtetasi me inicialet A. P., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500 mijë lekë të rinj.
Ndërkohë, mjeti lundrues në pronësi të tij u bllokua dhe u vendos në portin e Sarandës.
Policia e Shtetit u bën apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë me rigorozitet perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, për të shmangur rrezikimin e jetës së pushuesve.
Kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me fokus parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve.