E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Kthimi i Skënderbeut në atdhe, pikë kthese në historinë e popullit shqiptar

Kthimi i Skënderbeut në atdhe, pikë kthese në historinë e popullit shqiptar

Data 3 nëntor e vitit 1443 konsiderohet si një pikë kthese për popullin shqiptar, me rikthimin e Gjergj Kastriotit në atdhe.

Skënderbeu braktisi ushtrinë osmane në Nish, për të marrë rrugën drejt Krujës. I mbështetur nga 300 kalorës, ai nisi epokën e re të rezistencës ndaj turqve, që do të kthehej më vonë në një pikë referimi për popullin shqiptar.

Edhe pse u rrit në Perandorinë Osmane, Gjergji nuk e harroi kurrë mëmëdheun, duke pritur momentin e duhur për t’iu bashkuar luftës për liri. Zoti i Arbërit, ringjalli shpresën me rimëkëmbjen e Principatës së Kastriotëve. Ngritja e flamurit në Krujë më 28 nëntor 1443, pasoi Kuvendin e Lezhës më 2 mars të 1444, që bashkoi princat shqiptarë në qëllimin e përbashkët për pavarësi.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu mbeti i pathyer për 25 vite, deri në ditën e fundit të jetës, më 17 janar të 1468. Lavdia e Skënderbeut që kishte kaluar përtej Arbërisë, duke merituar mirënjohjen e shumë mbretërive evropiane, mbeti një motiv i përhershëm për shqiptarët në luftën e tyre për liri.

Lini një koment